Lajmet E fundit

LAJMI FUNDIT Telenovela me arrestimin e Bllakos/ SPAK nxjerr blof policinë, urdhri i gjykatës

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) përmes një njoftimi për mediat ka zbuluar prapaskenat se si u arrestua ish-deputetit i PS, Alqi Bllako.

Në një njoftim të shpërndarë për mediat, SPAK sqaron se më datën 31.03.2022, Gjykata e Posaçme ka caktuar masën e sigurimit personal “arrest në burg”, për shtetasin Alqi Bllako.

Ky vendim i është vënë në dispozicion Prokurorisë së Posaçme në orën 15.30 të datës 31 Mars dhe vendimi i GJKKO, është ekzekutuar nga Policia e Shtetit vetëm në orën 03.30 të 1 Prillit.
Ndërkohë, Policia e Shtetit njoftoi në orën 07:30 të mëngjesit të sotëm se Alqi Bllako ndodhej në komisariat prej mbrëmjes së djeshme, ku ka sulmuar edhe mediat për lajme të rreme.

“Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, informon publikun se përkundër disa lajmeve të rreme mbi arratisjen e shtetasit Alqi Bllako, ky shtetas ndodhet në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë që prej mbrëmjes së djeshme.”, deklaronte policia në njoftimin e saj.
Ndërkohë mbrëmjen e kaluar ka pasur në mungesë të plotë informacioni nga Policia e Shtetit. U raportua se policia kishte shkuar në banesën e Bllakos, në zonën e Tiranës së Re për ta arrestuar, por ish-deputeti nuk ka rezultuar në banesën e tij.

Në këtë reagim SPAK ka nxjerrë në pah mashtrimin e policisë e cila sulmoi mediat se po mashtronin me arratisjen e tij. Në fakt deri në orën 03.30 ish-deputeti ka qene i lirë dhe mediat kanë pasur të drejtë që urdhri i gjykatës nuk po ekzekutohej.
Njoftimi i plotë i SPAK:

Mbi caktimin dhe ekzekutimin e masës e sigurimit për shtetasin Alqi Bllako
Në kuadër të hetimeve të procedimit penal nr.187 të vitit 2020, në Regjistrin e Njoftimit të Veprave Penale në Prokurorinë e Posaçme me datë 18.03.2022, është regjistruar emri i shtetasit Alqi Bllako, lindur në Ersekë dhe banues në Tiranë, si i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Shpërdorimi i detyrës”, në bashkëpunim dhe “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, të parashikuara nga nenet 248, 25 dhe 260 të Kodit Penal.

Me shkresën Nr.2407 Prot., datë 29.03.2022, Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme i ka kërkuar Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhënien e autorizimit për arrestimin e deputetit Alqi Bllako. Kërkesa është shoqëruar me dokumentacionin përkatës.
Me shkresën Nr.1274/4 Prot., datë 29.03.2022, ardhur nga Kuvendi, jemi njoftuar se kërkesa për dhënie autorizimi për arrestimin e deputetit Alqi Bllako do të shqyrtohet në mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, që do zhvillohet me datë 30.03.2022, ora 18.00.

Me shkresën Nr.2407/4 Prot., datë 30.03.2022 kemi njoftuar Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë në lidhje me kërkesën e paraqitur në Kuvend për dhënie autorizimi për arrestimin e deputetit Alqi Bllako, duke i kërkuar mbajtjen nën mbikqyrje të deputetit dhe njoftimin e prokurorit të çështjes nëse deputeti do paraqitej në dalje të territorit të Republikës së Shqipërisë.

Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, me shkresën Nr.1274/7 Prot., datë 30.03.2022 (ardhur në Prokurorinë e Posaçme në orën 19.40) na ka njoftuar për anulimin e mbledhjes së Këshillit për Rregullore, Mandatet dhe Imunitetin, për arsye se deputeti ka depozituar kërkesën për heqje dorë nga mandati deputetit. Neni 71, pika 2, shkronja “b” e Kushtetutës parashikon se: “…mandati deputetit mbaron kur deputeti heq dorë nga mandati…”.

Me shkresën 2407/6 prot., datë 30.03.2022 (dorëzuar në gjykatë në orën 20.30) nga Prokuroria e Posaçme i është kërkuar Gjykatës së Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar caktimi i masës së sigurimit personal “arrest në burg”, për shtetasin Alqi Bllako, si i dyshuar për kryerjen e veprave penale të parashikuara nga nenet 248, 25 dhe 260 të Kodit Penal.
Me vendimin Nr.26, datë 31.03.2022, Gjykata e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka caktuar masën e sigurimit personal “arrest në burg”, për shtetasin Alqi Bllako.

Vendimi është vënë në dispozicion të Prokurorisë së Posaçme në orën 15.30 të datës 31.03.2022.
Në orën 15.45, të datës 31.03.2022, vendimi i gjykatës për caktimin e masës së sigurimit ndaj shtetasit Alqi Bllako i është dhënë për ekzekutim strukturave të Policisë së Shtetit.

Vendimi është ekzekutuar nga Policia e Shtetit në orën 03.30 të datës 01.04.2022.