Lajmet E fundit

Kujt i intereson fshehja e të vërtetës për 2 prillin? Kush ishte “Trojani” i kundërzbulimit të Tiranës

Përgatiti botimin Xhevdet Shehu
Në këtë pjesë të tretë dhe të fundit të rrëfimit të Bujar Hoxhës për 2 prillin e vitit 1991 tregohet se si u manipulua e vërteta në gjyqin farsë për këtë ngjarje. E pyes direkt Bujarin:
– Çfarë u bë me faktet që kishte Sigurimi i Shtetit për ngjarjen dhe implikimin e disa politikanëve direkt në ngjarje?

– Në ato kushte ishte normale të ndodhte ashtu si ndodhi. Të implikuari në atë ngjarje ishin në rrugën drejt pushtetit dhe shumë shpejt e morën atë. Nga ana tjetër, për askënd nuk është e vështirë apo sekret të verifikohet dosja e krijuar nga prokuroria e atyre viteve në ndalimin e shoferit të Pjetër Arbnorit që, i kapur në flagrancë nga strukturat e Sigurimit të Shtetit, u detyrua të pranonte se pushka e

gjetur në makinën e tij ishte e tija. Dy personazhet e makinës, Pjetër Arbnori dhe shoferi i tij ngelën enigmatikë për të shpjeguar se ç’i duhej një deputeti që të hynte me urgjencë në Shkodër me pushkë në dorë. Dëshmitë e tyre, u panë që ishin qepur, hetuesi e hoqi nga operacioni delikat deklarimin e Pjetrit dhe çështja për çudi do mbyllej.

Po përmend edhe një dëshmi tjetër të kohës: agjenti “Trojani” me aktivitet pozitiv me kundërzbulimin e Tiranës, me origjinë nga Shkodra. I dërguar me detyra na siguroi një dëshmitar ideal kundrejt një shpërblimi të majme për kohën. Pasoja që ai mund të shkaktonte ishin dërrmuese për procesin, por i dekonspiruar dhe i kërcënuar e tërhoqi dëshminë. Në fund të fundit, kjo ishte e kuptueshme për sigurinë e jetës në atë kohë.

Po i rikthehem edhe njëherë pyetjes që e vumë në titull të kësaj pjese të rrëfimit të Bujar Hoxhës: Kujt i intereson fshehja e të vërtetës për 2 prillin?Si përgjigje po sjell këtu një fragment nga intervista e Gjek Çelajt një vit më parë:
“E vërteta rreth një ngjarjeje kriminale nuk iu intereson pikërisht atyre që e kanë sajuar dhe që kanë qenë aktorë të saj. Për t’ju treguar rolin në ngjarje dhe pengimin e zbulimit të së vërtetës, po ju sjell pak fakte domethënës. Kur ndodhte konfrontimi midis policisë së

ngarkuar nga ligji me detyrën e rivendosjes së rendit dhe mbrojtjes së institucioneve dhe një grupi protestuesish të dhunshëm dhe të paligjshëm, në spitalin kryesor të qytetit ndodheshin mjeku Ali Spahia, më vonë nënkryetar dhe Kryetar i Grupit Parlamentar të PD-së, dhe nja dy mjekë të tjerë, aktivistë të asaj partie. Edhe infermieri më i thjeshtë, e jo më mjekët, e di se kur në spital paraqiten viktima apo vdesin njerëz të sjellë aty si të plagosur, të vdekurit vendosen në morg për arsye ekspertimi mjeko-ligjor, si pjesë e proceseve hetimore e gjyqësore. Spahia, dhe jo vetëm, i pritën viktimat në spital dhe nuk i vendosën në morg, por ua dhanë familjarëve duke u bërë pengesë për autopsitë si veprime mjeko-ligjore.

Veprimi më domethënës është fakti se viktimën e parë, as e vendosën në morg dhe as ua dhanë të afërmve, por instruktuan disa protestues që shoqëruan viktimën në spital, ta fusnin në një makinë tip “Zuk” dhe ta sillnin në sheshin ku vazhdonte konfrontimi dhe, madje, të tentonin futjen e kufomës në institucionin që ruhej me roje të armatosur dhe që kishte rreth një orë që sulmohej me lëndë djegëse dhe

dinamit nga një bërthamë kriminale që vepronte brenda turmës. Nuk do shumë mend për të kuptuar se një veprim i tillë synonte egërsimin e turmës, ashpërsimin e konfliktit dhe, rrjedhimisht, shtimin e pasojave. Gjatë procesit të hetimit dhe, po ashtu, edhe atij të gjykimit, Spahia dhe disa spahinj të tjerë bënë çmos të pengonin pyetjen e protestuesve rreth faktit nëse kishin vajtur vetë apo i kishte organizuar dikush për protestën e paligjshme dhe të dhunshme. Është e çuditshme, por edhe kuptimplotë fakti se drojen dhe pengesën për zbulimin e

organizatorëve po i shfaqnin ata eksponentë politikë që, kur po fillonte demonstrimi me nxënës shkollash që parakalonin në rresht dhe me mësues në krye, na pohonin mua dhe shefit të policisë se “protestuesit nuk janë tanët dhe s’kanë asnjë lidhje me ne”. E vërteta është se zbulimi i organizatorëve të protestave të dhunshme, të paligjshme dhe me pasoja tragjike, si ajo e 2 prillit, çon në zbulimin e qëllimeve dhe, pastaj, në zbulimin e mjeteve për arritjen e qëllimit”.
Përgatiti për botim Xhevdet Shehu