




Sipas axhendës protokollare, më 28 shkurt- Nikolai Patrushev, kreu i Sigurisë Kombëtare të Federatës ruse, që është edhe kryekëshilltari i Putinit duhet të ishte në Beograd. Por papritur Presidenti serb Aleksandër Vuçiç, bëri të ditur se kryespiuni rus anuloi vizitën.





Ka mbërritur në Beograd ambasadori i ri amerikan, “bultozeri” Chris Hill, njeriu që përgatiti Rambujenë e Marrëveshjen e Kumanovës. Me një fjalë, çlirimin e Kosovës dhe largimin e Serbisë.





Siç bëjnë të ditur mediat serbe, dje ambasadori Hill i ka dorëzuar letrat kredenciale presidentit serb Aleksandër Vuçiç, por para se të ndodhë kjo, mësohet se ai ka ndikuar për një zhvillim të bujshëm në Ballkan.





Në fund të shkurtit ishte planifikuar për të mbërritur në Beograd e Banja Luka, kryespiuni i Putinit, Nikolai Patrushev, i cili drejton të gjitha shërbimet sekrete ruse. Një vizitë që dridhi qarqet në Ballkan, e normalisht kancelaritë perëndimore. Kjo sepse, një ardhje e Patrushevit në Beograd në vitin 2016, shkaktoi një trazirë të tmerrshme në të gjitha vendet e Ballkanit.





Në Mal të Zi u zhvillua një puç ndaj Milo Gjukanoviçit; në Maqedoni u tentua të vritej Zoran Zaevi e Zijadin Sela, me anë të revoltës së shovinistëve në Parlament, që kështu të ndalohej ardhja e koalicionit mes shqiptarëve dhe LSDM-së Zaevit; ndërsa në Shqipëri ndodhi çadra dhe tentativa për të bllokuar sistemin politik të vendit.





Pikërisht para pushtimit të Ukrainës, Putin kishte planifikuar një tur disa ditor të kryespiunit Patrushev në Beograd dhe Banja Luka të Republika Serbska-s, e në fakt kishte një kontekst të qartë për këtë vizitë.
Rënia e qeverisë filoruse të Podgoricës së drejtuar nga Zdravko Krivokapiç dhe mandatimi i Dritan Abazoviçit si kryeministër alarmoi rusët, të cilët nisën planin për ta ndaluar këtë plan.





Edhe sot e kësaj dite Parlamenti i Malit të Zi nuk është mbledhur për të votuar qeverinë e re, ngaqë kreu i parlamentit, një politikan serb-pro rus nuk pranon të mbledhë parlamentin, edhe pse mazhoranca që mbështet qeverinë e re ka 3/5 e deputetëve.
Ndërkaq, trazira kishin nisur edhe në Shqipëri, ku përplasja e Berishës me amerikanët, konsiderohet nga Moska si një lëvizje interesante në favor të saj.





Mirëpo këtu, Uashingtoni ka vepruar fort. Hill, që është një njohës i shkëlqyer i lojrave ruse në Ballkan, duket ka ndikuar fort që të ndalohet me çdo mënyrë ardhja e kryespiunit rus në Beograd. E në fakt ashtu ndodhi; Rusia kishte 4 ditë që kishte aktivizuar pushtimin e Ukrainës, e duket se kërkonte të hapte edhe një vatër në Ballkan.





Sipas axhendës protokollare, më 28 shkurt- Nikolai Patrushev, kreu i Sigurisë Kombëtare të Federatës ruse, që është edhe kryekëshilltari i Putinit duhet të ishte në Beograd. Por papritur Presidenti serb Aleksandër Vuçiç, bëri të ditur se kryespiuni rus anuloi vizitën.
Pak ditë më parë, ishte gazeta kroate, Jutarnih List, e cila shkroi se anulimi i vizitës së Patrushevit ishte një lajm i rremë, pasi ai u pengua të udhëtojë në Beograd.





NATO dhe BE ndaluan të gjitha fluturimet me Rusinë. i vetmi vend europian që i ruajti korridoret fluturuese me Rusinë ishte Serbia. Linja unike në punë që vijoi fluturimet ishte ajo e Air –Serbia me dy destinacionet Beograd-Moskë e kthim, si dhe Beograd-Shën Pjetërburg e kthim. Një ditë para ardhjes së Patrushev, mediat hapën lajmin se ka alarm për bombë në aeroportin ndërkombëtar “Nikola Tesla” të Beogradit. Lajme, që dalin thuajse çdo tre ditë, e që duken qartë manovra të shërbimeve sekrete, në mënyrë që këto linja të mbesin me vetëm një dorë njerëzish që udhëtojnë, e jo të krijojnë një fluks të pakontrolluar.





Ndërkaq, e përditshmja e Beogradit, Novosti, në një shkrim për ardhjen e Chris Hill në Serbi thekson se “Hill nuk është thjesht një diplomat, por një drejtues special misionesh. Në 1999 kishte si mision të largonte Serbinë nga Kosova, e në krizën e Koresë kishte si plan ndalimin që Korea e Veriut të ndërtojë armët bërthamore. Po cili do të jetë misioni i sotëm i tij në Beograd?” pyet gazeta serbe. E cila ka intervistuar disa diplomatë e analistë, të cilët në kor nuk kanë asnjë dyshim; “Hill ka ardhur për të mbyllur njohjen e Kosovës nga Serbia”.Në këtë kontekst, ardhja e kryespiunit rus, aludohet se do të bëhej për të riaktivizuar planet e destabilizimit, që do të krijonin kushte për të degraduar situata, e gjithçka të rikthehej në pikën e vd, ekur.





Siç ka ndodhur shpesh që nga 1999-a, ku Moska ka bërë ç’është e mundur që t’i vonojë proceset. E pikërisht këtë nuk e ka lejuar Uashingtoni të ndodhë, duke bllokuar ardhjen e kryespiunit rus.
Megjithatë, Vladimir Putin, edhe pse në gjendje të vështirë si pasojë e aventurës së çmendur në Ukrainë, e mban fort Serbinë, si një pikë e rëndësishme gjeostrategjike në Ballkan.





Si paranojak që është, Putin ka urdhëruar ambasadorin e tij në Serbi, Alexandër Botsan Kharchenko, që të rrijë ngjitur me Vuçiç, për të krijuar një distancë sociale mes tij dhe perëndimorëve. Aq komike është situata, sa edhe në fushatën elektorale për zgjedhjet presidenciale, ambasadori rus udhëton me tren në çdo qytet me presidentin serb, të cilit natyrisht që i leverdis një publicitet i tillë në elektoratin e gjerë serb, i cili është në shumicë pro Putinit.