Lajmet E fundit

A kanë qenë shqiptarët historikisht të përçarë?

Sa herë që bëhen diskutime publike për historinë politike të shqiptarëve dhe Shqipërisë, shumë analistë e historianë shqiptarë (e të huaj) ngrenë çështjen e përçarjes ideologjike e politike si një nga problemet kryesore të shqiptarisë dhe arsyetojnë se, fatkeqësisht, kjo “përçarje” e supozuar na paskësh qenë pikërisht shkaku i fatkeqësive të shumta që i kanë ndodhur popullit

shqiptar ndër shekuj. Ata kanë mbrojtur tezën se nëse shqiptarët do të kishin pas qenë të “unifikuar” ideologjikisht e politikisht si të tjerët (???), atëherë medoemos edhe Shqipëria sot do të kish qenë Shqipëria etnike, e zhvilluar ekonomikisht dhe e përparuar në të gjitha fushat e jetës.

Në pamje të parë koncepti i unifikimit ideologjik e politik tingëllon si diçka që ka kuptim dhe që mund të arrihet, të paktën kështu na është propaganduar gjithnjë, sidomos kur merr formën e një qëllimi idealist të bashkimit përfundimtar kombëtar, për të cilin të gjithë shqiptarët duhet të lu, ftojnë për ta përmbushur. Mirëpo a është ky një fenomen natyror dhe a është i mundur të arrihet? A është e mundur të bindësh një popull të tërë,

ose shumicën e tij, që të ndjekë një ideologji e të ketë një mendim të vetëm për të gjitha çështjet politike, ekonomik e social-kulturore? Çfarë thotë historia për këtë çështje? A ka në të vërtetë ndonjë popull tjetër që e ka arritur këtë fenomen në lashtësi, mesjetë apo në kohët moderne? A kanë qenë vërtetë popujt e tjerë më të bashkuar se shqiptarët?

Përgjithësisht, në narrativën e analistëve të historisë së shqiptarëve, si shembujt e unifikimit ideologjik e politik të popullit merren fqinjët tanë dhe historia e tyre imperialiste. Jo rrallë herë kemi dëgjuar në diskutime për aftësinë e tyre për të ngritur perandori, apo për rolin e rëndësishëm që kishat e tyre na paskëshin luajtur për bashkimin e popullit nën një ideologji të vetme nacionaliste. Por a është ky krahasim i vërtetë?

Historia tregon se asnjë nga qytetërimet e lashta e moderne nuk është zhvilluar si rezultat i unifikimit ideologjik e politik të një populli me bazë etnie. As perandoritë, as mbretëritë, as institucionet fetare, e as ndonjë lloj forme tjetër organizimi shoqëror që njeh bota. Ato janë mbështetur gjithmonë tek superioriteti numerik e ekonomik, dhuna, pushtimi, mposhtja, shfrytëzimi, mos barazia dhe skllavëria. Të tilla kanë qenë qytetërimi i lashtë grek, perandoria romake, Bizanti, perandoritë bullgare e serbe, perandoria osmane, perandoritë e krishtera evropiane, e kështu me radhë.