Lajmet E fundit

Epoka e errët shqiptare- si Iluminizmi Europian solli errësirën mbi botën shqiptare

Epoka e errët shqiptare mund të përkufizohet si periudha midis viteve 1870 dhe 1999-2001, një periudhë gjatë së cilës etnia shqiptare, identiteti kulturor, gjuha dhe vetë populli shqiptar kanë qenë nën një sulm të qëllimtë e të vazhdueshëm ushtarak, politik e social-kulturor, me qëllimin e vetëm që të pengohen të krijojnë një shtet kombëtar me një identitet të bashkuar dhe që të mos arrijnë kohezionin e nevojshëm social e stabilitetin ekonomik

që do ti jepte shoqërisë tonë mundësinë e krijimit të kushteve të përshtatshme për zhvillim dhe prosperitet afatgjatë.
Gjatë kësaj periudhe shqiptarët janë përçarë, dëbuar, shtypur, asimiluar, zëvendësuar, izoluar, mohuar të drejtën e identitetit, madje dhe shfarosur. Shqiptarët kanë qenë vazhdimisht në ikje, në përpjekje për të mbijetuar, duke lu, ftuar për ekzistencën e tyre, për lirinë dhe duke bërë çfarë ka qenë e mundur për të ekzistuar edhe një ditë më shumë.

Arkitektët e epokës së errët shqiptare kanë qenë, natyrisht, askush tjetër veçse Fuqitë e Mëdha Europiane, si ato të shekullit të 19, ashtu edhe ato të kohëve më moderne. Këtë “projekt madhështor” ato e kanë vënë në jetë, ose në mënyrë të drejtpërdrejtë, nëpërmjet pushtimeve ushtarake dhe presioneve e izolimit politik e ekonomik ose nëpërmjet projekteve të tyre imperialiste ballkanike si Serbia dhe Greqia.

Koncepti i epokës së errët shqiptare, siç do të shtjellohet edhe më poshtë, është një përkufizim, i cili, i jep një herë e mirë zgjidhje debatit ndër-shqiptar për çështje si “Kush na e ka fajin?” (për gjendjen e sotshme sociale e ekonomike të shoqërisë shqiptare) dhe “Kujt i përkasim?” (botës lindore apo asaj perëndimore).
Ky përkufizim do të shërbejë gjithashtu edhe si pikënisje për të çmitizuar të gjitha ato ide të gabuara që shumë shqiptarë, veçanërisht ata qe e konsiderojnë veten e tyre intelektualë, kanë për vendin, historinë, kulturën dhe popullin e tyre.

Më poshtë kam renditur të gjitha konceptet dhe ngjarjet krysore historike në rend kronologjik, duke filluar që nga vitet 1870 deri në vitet 1999-2001, të cilat ilustrojnë konceptin e epokës së errët shqiptare.Kjo nuk është një listë me ngjarje e fakte të reja apo të pazbuluara. As nuk ka si qëllim që të jetë shteruese apo gjithë përfshirëse. Lista e mëposhtme ka si qëllim të vetëm të ilustrojë në vija të përgjithshme përkufizimin e parashtruar më sipër. Të gjitha konceptet e ngjarjet e mëposhtme janë botërisht të njohura e të dokumentuara.

Gjithashtu, në këtë listë nuk renditen e nuk shtjellohen kundërveprimet shqiptare apo të palëve të tjera në ndihmë të shqiptarëve, të cilat meritojnë një artikull më vete.