




Ekzistojnë dy narrativa për periudhën e diktaturës komuniste. Njëra është ajo që artikulohet gjerësisht në debatin mediatik shqiptar, në të cilën çdo aspekt i diktaturës vërtitet rreth figurës së Enver Hoxhës dhe poshtërsisë së supozuar të tij ndaj gjithëçkaje dhe çdokujt që ekzistonte në Shqipëri. Sipas kësaj narrative diktatura komuniste ishte një krijesë e përbindshme në duart e





Enver Hoxhës dhe drejtohej nga ai në mënyrë absolute, me qëllimin e vetëm për të izoluar, shtypur, vrarë, bu, rgosur e persekutuar të gjithë popullin shqiptar njëkohësisht, pa dallim feje krahine e ideje, gjatë gjithë kohës, 24 orë ditë, 365 ditë në vit, në mënyrë që të mbante pushtetin në duart e tij (çuditërisht jo për pasuri) dhe të plotësonte tekat e tija perverse e gjakatare të urrejtjes ndaj çdo gjëje të gjallë që lëvizte në territorin e Republikës së Shqipërisë.





Kjo narrativë i jep shkas teorive të panumërta konspirative, është absolutisht e ndarë nga ngjarjet gjeopolitike të kohës, injoron totalisht historinë e Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe ka si objektiv të vetëm demonizimin e Enver Hoxhës, i cili sipas kësaj narrative, për të mbajtur pushtetin, jo vetëm që mbajti të shtypur e në skamje me qëllim të gjithë popullin shqiptar, por vrau e burgosi shokët e miqtë e tij, të afërmit, qen e mace, madje edhe ndonjë ish “dashnore”.





Sipas kësaj narrative, çdo politikë, veprim apo fenomen gjatë diktaturës lidhet në mënyrë të drejtë vetëm me Hoxhën dhe dëshirën e tij të sëmurë për pushtet, që nga aleancat e përplasjet politike me superfuqitë e botës e deri tek të mbathurat e grave. D.m.th Enver Hoxha na paskësh qenë një njeri i superfuqishëm, i cili, krejt i vetëm, bëri me Shqipërinë dhe shqiptarët ç’i desh qejfi, kur ja desh qejfi. Me pak fjalë – një vampir i çartur e i etur për gjak.





Për mendimin tim kjo narrativë është e cekët, mediokre, lë shumë pyetje pa përgjigje, bazohet në inate e mllefe personale dhe nuk na ndihmon të kuptojmë asgjë nga realiteti shqiptar i asaj periudhe.Ndërsa narrativa tjetër është kjo që do të shtjelloj më poshtë e që bazohet në analizën e rrethanave dhe kushteve gjeopolitike në të cilën ndodhej Shqipëria dhe shqiptarët në atë periudhë.





Kujdes! Për të kuptuar analizën e mëposhtme, supozohet që lexuesi ka njohuri të përgjithshme mbi aspektet kriminale dhe mekanizmat represivë të diktaturës si: dënimet e rënda politike, internimet, persekutimet, ekzekutimet pa gjyq, masat represive, etj. Ky shkrim nuk ka si qëllim ta justifikojë diktaturën por t’i vërë ngjarjet në kontekstin e duhur historik e gjeopolitik, në mënyrë që lexuesi të kuptojë më mirë konsekuencat e tyre. Gjithashtu këtu nuk merrem as me aspektet e jetës së përditshme gjatë diktaturës, pasi ato janë trajtuar gjerësisht në vende të tjera.