




Kryeministri Edi Rama tentoi t’u diktojë gazetarëve se çfarë dhe si duhej të raportonin gjatë një konference për shtyp që u zhvillua të enjten me fokus rezultatet e Këshillimit Kombëtar.





Duke supozuar se kishte një pakt mes tij dhe mediave, kryeministri u kërkoi gazetarëve të pranishëm në konferencë që të raportonin për temën e konferencës dhe të linin për një hapësirë tjetër përgjigjet e dhëna jashtë kësaj teme.‘Duke shpresuar tek ai pakti, kompromisi që kemi bërë, që për përgjigjet jashtë teme ju do të shfrytëzoni një hapësirë tjetër dhe nuk do të hiqni temën nga raportimi juaj..,’- tha Rama në fund të konferencës.





I pyetur nga BIRN për ekzistencën e një ‘pakti’ mes kryeministrit dhe mediave, drejtori i Agjencisë për Median dhe Informim, Endri Fuga, tha se ‘nuk ka ndonjë dokument të shkruar’.
Por Fuga pranoi se gazetarëve iu kërkua që të mbulonin temën për të cilën ishte thirrur konferenca.





‘Kemi folur për mundësinë që teksa të gjithë pyesin për çdo gjë dhe marrin përgjigje për çdo gjë, në të njëjtën kohë të mbulojnë edhe temën për të cilën ka ndodhur konferenca,’ tha Fuga për BIRN.‘Është bërë zakon që dikush del për një teme të caktuar e më pas bëhen pyetje për tema të tjera dhe tema për të cilën është dalë në radhë të parë ‘harrohet’,’ shtoi ai.