Lajmet E fundit

A ishin osmanët anti shqiptarë?

Në narrativat dhe propagandën zyrtare të shteteve të Ballkanit e deri vonë në atë të historianëve perëndimorë, turqit osmanë janë paraqitur gjithmonë si një grumbull fisesh të paqytetëruara, të cilat vërshuan krejt papritur drejt Evropës dhe shkatërruan me egërsi çdo shenjë të qytetërimit të krishterë që u doli përpara. Mirëpo kjo nuk është aspak e vërtetë. Osmanët, dhe të gjithë fiset turkomane të Anadollit ishin trashëgimtare të një tradite perandorake 300 vjeçare të sulltanatit të Rumit (Romës) dhe paraardhëses së tij, perandorisë selxhuke, që shtrihej në Azinë e Vogël, Lindjen së Mesme e Persinë, dhe në themel të sundimit të

së cilës ishin ndërthurur si tradita qindra vjeçare persiano-islamike ashtu edhe ajo heleno-romake. Turqit selxhukë kishin adoptuar dhe mbështetur gjerësisht kulturën dhe artin persian. Ndërsa në sulltanatin e Rumit ishte integruar e pacenuar fisnikëria bizantine e Anadollit, e cila kishte sjellë padyshim influencën e saj romake. Pra, turqit osmanë, jo vetëm që nuk ishin disa fise të humbura e të paqytetëruara të Azisë, por përkundrazi, ishin zhvilluar e zgjeruar në një ambient perandorak multi etnik e multi fetar, në të cilin, përkrah fesë, kishin lulëzuar, arti, kultura, shkenca dhe mendimi filozofik.

Në këtë kontekst, zgjerimi i perandorisë osmane u bazua që në fillimi mbi parimet e gjithëpërfshirjes, larmisë fetare dhe ruajtjes së interesave lokale politiko-ekonomike të komuniteteve mbi të cilat do të sundonte. Kjo filozofi paqësore bashkëjetese u shpreh në disa forma e në periudha të ndryshme:
Me pushtimin e Kostandinopojës, Sulltan Mehmeti i II nuk e eliminoi institucionin e Patrikanës së Kostandinopojës por e mori atë nën mbrojtjen e tij personale, duke i hapur kështu udhë sistemit të mileteve dhe diversiteti etnik fetar të sanksionuar me ligj. Në vitin 1454 Mehmeti II pranoi autoritetin e Patrikanës mbi ortodoksët e perandorisë dhe i dha patrikut Genadius Skolarius titullin e etnarkut (udhëheqës i etnisë) të miletit rum (të krishterët ortodoksë quheshin rum-romakë). Në këtë mënyrë sulltani i njihte patrikanës jo vetëm pushtetin mbi njerëzit por edhe të gjitha pronat që kish zotëruar deri në atë moment, gjë që e bënte patrikanën faktikisht pronarin më të madh të tokave në të gjithë perandorinë.

Sistemi civil i qeverisjes së perandorisë bëhej sipas karakteristikave të çdo krahine e province. Administrata lokale osmane ishte tejet e vogël dhe përbëhej vetëm prej guvernatorit (bejlerbeut, sanxhakbeut, etj.) dhe gjyqtarit (kadiut), i cili merrej me punët dhe problemet e përditshme të provincës. Çdo çështje tjetër administrative ishte subjekt i vetëqeverisjes së komuniteteve lokale dhe kishës. Në rastin e territoreve shqiptare, shumica e shqiptarëve jetonin nën sistemin shoqëror fisnor dhe vetëqeveriseshin tërësisht nëpërmjet të drejtës zakonore ku autoriteti osmane nuk kishte asnjë të drejtë ndërhyrjeje.

Sistemi i jurisprudencës osmane ishte e ndarë në dy pjesë: ligji islamik (Sherihati) dhe ligji civil laik. Ndërsa sistemi i drejtësisë kishte tre gjykata: gjykata islamike, gjykata e krishterë dhe gjykata tregtare. I gjithë sistemi i qeverisjes osmane vërtitej rreth menaxhimit të pronës, gjë që lejonte mbrojtjen e interesave të komuniteteve lokale. Por këto gjykata nuk ishin të ndara me thikë. Shpesh herë të krishterët dhe Hebrenjtë i drejtoheshin gjykatave islamike, në mënyrë që të fitonin një vendim më të prerë. Shteti osman kishte tendencën të mos përzihej në çështjet ligjore të komuniteteve të krishtera edhe pse nga ana ligjore e kishte plotësisht të drejtën.

Ndryshe nga ç’është propaganduar historikisht në narrativat nac1onal1ste, autoritetet osmane nuk e kishin për zakon ti rrëmbenin fëmijët e të krishterëve me dhunë, që ti shpinin ata, pastaj, ushtarë. Rekrutimi i fëmijëve të krishterë bëhej me sistem të rregullt dhe pa asnjë lloj kundërshtimi nga familjarët. Ky sistem quhej devshirme dhe ishte në thelb një sistem arsimor, i cili kishte për qëllim krijimin e administratës politike e ushtarake osmane. Natyrisht që devshirmeja nuk funksiononte sipas koncepteve moderne të moralit shoqëror, por për kohë në të cilën praktikohej ishte një sistem tejet i avancuar dhe me leverdi,

si për shtetin osmane, ashtu edhe për familjarët e fëmijët. Çdo vit, të dërguar të posaçëm të sulltanit, shkonin në krahina të ndryshme të Ballkanit dhe seleksiononin fëmijët në bazë të talenteve të tyre fizike e mendore. Ata që seleksionoheshin fitonin “bursa” për të studiuar në shkollën e pallatit të sulltanit të quajtur Endurun. Atje ata mësonin mësime nga më të ndryshme, që nga aftësitë ushtarake, shkencat ekzakte e të natyrës, e deri tek gjuhët e huaja, filozofia politike, etj. Pastaj, sipas talenteve të gjithsecilit, ata dërgoheshin për shërbim në detyra të ndryshme. Ata që shfaqnin talent për aftësi ushtarake, rekrutoheshin në korpusin e jeniçerëve. Ata që kishin talente politike, rekrutoheshin në funksione administrative. Këta të fundit mund të shkonin deri në postin e vezirit të madh. Seleksionimi i fëmijëve bëhej me ceremoni dhe shumë prej familjarëve aplikonin që fëmijët e tyre të merreshin në shqyrtim dhe nëse fitonin, ishin familjarët ata që duhet të paguanin për tu blerë rrobat e kuqe ceremoniale dhe udhëtimin drejt kryeqytetit. Një prej këtyre djemve ishte edhe Skënderbeu.