




Ish-kryeministri Sali Berisha e ka pranuar se padia ndaj Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken ishte blof. Amerikanët e shpallën në maj të viti 2021 “non grata” për përfshirje në korrupsion madhor dhe Berisha disa orë pas vendimit njoftoi se do të bëjë padi në Gjykatën Korreksionale të Parisit. Jemi gati një vit pas vendimit të DASH dhe nuk ka asnjë zhvillim mbi padinë e bërë nga Berisha.





Edhe pse Berisha tha që gjykatësi e kishte pranuar, në fakt ajo padi nuk dihet ku ka përfunduar dhe duke qartë se kërkesa e ish-kryeministrit shqiptar nuk është përfillur fare.
Që një vit më parë u duk qartë se ishte një manovër për të shuar zërat dhe për të bindur të vetët se nuk ishte i përfshirë në korrupsion, por duket se tashmë Berisha e ka pranuar se padia në Francë nuk do i sjellë asnjë ndryshim. Ish-kryeministri gjatë një konference me gazetarët u pyet për këtë çështje dhe e tregoi hapur se padia ka përfunduar në kalendat greke.





“Ka kundërshti të forta sepse asnjëri nga ne nuk është qytetar francez dhe se Sekretari Blinken ka imunitet. Ka pro, faktin se shpifja dënohet aty ku lind. Tani është në ndërgjegjen e gjykatësit ta vendosë. Unë përpjekjen time madhore e kam adresuar te transparenca. Deri sot, nuk kemi një provë të vetme që fakton, përveç deklaratave “fakte kemi, por s’i themi”. Këto nuk qëndrojnë”, tha Berisha.





Pra duket se Berisha i ka hequr shpresat nga padia dhe tashmë sytë i ka te zgjedhjet e reja në SHBA. Evi Kokalari duket se e ka bindur që nëse republikanët vijnë në pushtet do ja heqin njollën e zezë, ndonëse ishin ata që nisën procesin kundër tij.