Lajmet E fundit

Shteti “më the-të thashë” i Edi Ramës

Nuk do jetë çudi madje që në Këshillimin e radhës, Edi Rama të hartojë pyetjen: Ka njerëz që thonë që zgjedhjet e përgjithshme parlamentare nuk janë më të nevojshme. Si mendoni ju?

Edi Rama është stërmunduar këto 3 muaj t’i mbushë mendjen opinionit publik se “Këshillimi Kombëtar” është instrumenti më demokratik i shpikur prej tij për një qeverisje të mirë. Është stërmunduar shumë, pavarësisht se posedon të gjitha mjetet e propagandës, të bindë opinionin publik se ai është një lider i paparë demokrat që po përfshin popullin në qeverisje.Vini Re, Edi Rama po mundohet ta shesë “Këshillimin Kombëtar”, si pjesëmarrje vendim-marrëse e popullit në qeverisje.

Vini Re, Edi Rama po mundohet ta shesë “Këshillimin Kombëtar”, si pjesëmarrje vendim-marrëse e popullit në qeverisje.
Në fillim askush nuk e mori seriozisht. Pakkush besoi se mendja diabolike e Kryeministrit të Shqipërisë do të mbërrinte deri këtu. Kur ky proces nisi, askush nuk mendoi se “Këshillimi Kombëtar” do shkonte përtej propagandës.

Por sot Edi Rama i kaloi kufijtë. Edhe Enver Hoxha do t’ia kishte zili këtë mënyrë të instalimit të diktaturës së tij në Shqipëri.
Sepse e përkthyer në gjuhë tjetër, ky slogani i “klasës punëtore që ka pushtetin dhe vendos” është themeli i diktaturave që Shqipëria i njeh mirë.
Dhe kjo është ajo që do të ndodhë: nëse Këshillimi Kombëtar bëhet vendimmarrës, Edi Rama do të shndërrohet në një Enver të dytë.
Rama e pranoi sot, që kështu do të ndodhë.

Po të analizoje pyetjet e të famshmit, “Këshillimi Kombëtar”, vë re se janë të gjitha çështje dhe pika që Edi Rama i ka për zemër dhe thjesht po kërkon një mënyrë që të ligjërojë veprimet e veta.
E gjeti me çfarë, me “zërin e popullit”. Sipas Ramës, “sovrani foli”.

Sot Edi Rama deklaroi se do të legalizojë kanabisin, do të bëjë amnisti fiskale, do të legalizojë pastrimin e parave, do të pezullojë prokurorë e gjyqtarë që marrin vendime që atij nuk i pëlqejnë, do të vazhdojë Ballkanin e Hapur e gjithçka tjetër për të cilën ai ka vite që kritikohet nga qytetarët e vet dhe sidomos nga ndërkombëtarët.

Po të analizoje pyetjet e “Këshillimit Kombëtar”, të gjitha fillonin me “ka njerëz që thonë…”
Na paska pra ca njerëz që thonë kështu dhe hajt ta bëjmë siç thonë ata.
Bëhet shteti me “me the- të thashë”?!! 500 mijë qytetarë janë përgjigjur tha, vajza e ulur përkrah Ramës dhe që drejton një platformë që quhet Bashkëqeverisje, por që është një platformë ku njerëzit ankohen për të drejta që kjo qeveri u cungon.

500 mijë qytetarë gjithsej, ama askush nga ata, as vetë Kryeministri, nuk është i zoti të vërtetojë që ky është një proces i drejtë, i pamanipuluar, i paanëzuar.
Në Shqipëri manipulohen votat ditën për diell, imagjinoni ca pyetësorë të shpërndarë me postë e nëpër sheshe qytetesh.

Në këtë ditë e katandisi Shqipërinë Edi Rama. Me një shtet që kërkon të anashkalojë fjalën e votës me ca formularë të shpërndarë derë më derë, gjoja si bashkëqeverisje. Me ca pyetësorë të trajtuar si korrespondencë personale e të madhit me popullin, të bërë me paratë dhe instrumentet shtetërorë, por të përkthyer në detyra qeverie që do të përmbushen një orë e më parë.

Dhe ky është vetëm fillimi. Edi Rama paralajmëroi se Këshillimi do të bëhet çdo vit. Sa herë të shohë një ëndërr të keqe Kryeministri do dalë të pyesë popullin.
Nuk do jetë çudi madje që në Këshillimin e radhës, Edi Rama të hartojë pyetjen: Ka njerëz që thonë që zgjedhjet e përgjithshme parlamentare nuk janë më të nevojshme. Si mendoni ju?
Pastaj do dalë të thotë që 70% e përgjigjeve ishte, Po!