




Ka nisur punimet Kongresi i Partisë Socialiste.
Ndryshe nga herët tjera, këtë vit Kongresi është ndarë në 5 “reparte”, duke u fokusuar në disa prioritete, siç janë rinia dhe inovacioni, integrimi dhe politika e jashtme, shëndetësia dhe mbrojtja sociale, bujqësia dhe siguria ushqimore, si dhe energjia e mjedisi.





Një ndër pikat kryesore të cilat do trajtohen është dhe projekt-vendimi i shkarkimit të të gjithë kryetarëve të Partisë Socialiste, në të gjitha bashkitë e vendit. Sipas këtij projekt vendimi, hapet rruga për riorganizimin e partisë dhe përgatitjen për fushatën e zgjedhjeve vendore të vitit 2023. Po ashtu, pritet të rikthehet pas 32 vjetësh pozicioni i Sekretarit Ekzekutiv, që sipas statutit, do të jetë një lloj kancelari në nivel bashkie.





“Ky funksion i ri do të jetë me kohë të plotë dhe do të përgjigjet për të gjithë anën dokumentare, administrative, kuotizacionin, duke ndjekur dhe raportuar zbatimin e akteve të organeve më të larta të partisë në nivel vendor”– shkruhet në relacionin sqarues të ndryshimeve statutore të PS.





Ndërkohë, në nenin 12 të Statutit të ri, parashikohet ndryshimi i simbolit, stema dhe flamuri i Partisë Socialiste. Simboli i ri i PS-së paraqet një grusht të mbledhur, i cili mban një trëndafil të kuq, kurse stema është në formë rrethi me ngjyrë të gjelbër. Në anë të simbolit të partisë është shkruar me germa kapitale të bardha Partia Socialiste e Shqipërisë 1991. Këto ndryshime janë dukshëm rikthimi i PS-së në origjinalitet duke i ikur “Rilindjes”. Një gjë e tillë u paralajmërua dukshëm nga Rama, i cili postoi më herët një foto në rrjetet sociale, me Fatos Nanon në background.





Një nga ndryshimet e reja në Statut lidhet dhe me mandatin e kryetarit të Partisë, i cili pavarësisht se ka një mandat 4 vjeçar, draft-Statuti parashikon disa raste kur mund t’i ndërpritet para kohe.
Kongresi do të zgjasë nga ora 09.30 deri në orën 15.00 dhe ajo që bie në sy është se 6 ministra nuk do të mbajnë asnjë fjalë. Emrat që do të flasin në këtë event janë personat më të afërt me Ramën: Olta Xhaçka, Niko Peleshi, Bora Muzhaqi, Frida Krifca, Ogerta Manstirliu, Delina Ibrahimaj dhe Mirela Kumbaro, duke lënë në hije ministrat si: Bledi Çuçi; Evis Kushi; Ulsi Manja; Edona Bilali, Elva Margariti dhe Milva Ekonomi, të cilët nuk figurojnë askund në axhendë. A thua ata janë më të rrezikuar të shkarkohen? Ndërkohë ajo që bie në sy është rikthimi i Ditmir Bushatit.





Është ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku, e cila ka hapur Kongresin në sheshin pranë stadiumit “Air Albania”. Ndërkaq, Edi Rama do të mbajë fjalën i fundit në këtë sesion të parë, në orën 12.35, dhe më pas do të nisë sesioni i punimeve formale.