Lajmet E fundit

A mund të krahasohet Shqipëria me perëndimin?

Jo rrallë herë kemi vënë re sesi në media e në publikime të ndryshme, dhe kudo ku ka informacion për Shqipërinë, veçanërisht në analiza historiko-politike, si të brendshëm, ashtu edhe të huaja, Shqipëria dhe shqiptarët krahasohen pa të drejtë me shtetet e zhvilluara Evropiane dhe arritjet e tyre në fushat e ekonomisë, politikës, arsimit, artit, shkencës, etj. Analisti nuk ngurron të tregojë se si shqiptarët nuk ishin në gjendje të merrnin këto apo ato vendime politike, nuk arritën të

ndërmerrnin këtë apo atë nismë ekonomike, dhe nuk ishin në gjendje të kryenin këtë apo ato reformë sociale duke lënë të kuptohet, e duke na e përsëritur për të njëmijtën herë herë faktin që, me sa duket, shqiptarët nuk na paskëshin qenë të aftë që ecin me të njëjtin hap me pjesën tjetër të Evropës. A thua se shqiptarët i kishin të gjitha mundësitë dhe rrugët e hapura, a thua se bota

ka qenë gjithmonë një vend për konkurencë të lirë e të ndershme, por shqiptarëve nuk ua kishte qejfi. Për këtë ata përpiqen të gjejnë një qind e një arsye e shkaqe, duke u nisur nga historia e perandorisë osmane dhe ndikimi i saj tek shqiptarët, e deri tek konceptet naive si mentaliteti e kultura e popullit shqiptar ndër shekuj.

Kur janë një apo dy, ato nuk përbëjnë ndonjë arsye për tu shqetësuar. Por kur kthehen në dhjetëra dhe vendosen kapicë njëra sipër tjetrës, këto analiza dhe konkluzionet e gabuara që dalin prej tyre, ndikojnë në mënyrë të drejtëpërdrejtë në rritjen e psikozës së vetëpërçmimit, një fenomen social-psikologjik që ka pushtuar shoqërinë intelektuale shqiptare e që ndikon në mënyrë të drejtëpërdrejtë në mënyrën sesi njerëzit perceptojnë realitetin dhe vendimet që marrin në raport me të. Kështu, jo

rrallë herë pasojat e këtij fenomeni i shikojmë të shfaqura në mediat shqiptare, veçanërisht në debate e diskutime historike e politike, në të cilat gazetarë, analistë, “specialistë”, politikanë, historianë, opinionistë, etj, nuk ngurojnë që, për çdo problem që ka shoqëria, të vjellin vrer për shqiptarët, të ankohen pafundësisht, të drejtojnë gishtin nga të katër anët dhe ç’është më e rëndësishmja, ta krahasojnë Shqipërinë e “mjerë” me vëndet zhvilluara evropiane duke e nxjerrë, kështu, Shqipërinë si njollën më të zezë të Evropës.