Lajmet E fundit

Pse duan të rinjtë e diplomuar të largohen nga Shqipëria?

Përgjigja e kësaj pyetjeje nuk do shumë mend – varfëria ekonomike e social-kulturore e vendit i detyron të rinjtë shqiptarë të kërkojnë një jetë më të mirë jashtë

Shqipërisë. Mungesa e standardeve të larta në arsim, mundësitë e pakta për punësim, pagat e ulëta, mungesa e profesionalizmit, etj, të gjitha këto janë arsye legjitime për tu larguar nga Shqipëria. Kaq gjë është e qartë. Ajo që nuk është fort e qartë është mekanizmi me anë të të cilit shtjellohet ky fenomen.

Kur fillova të mendoj për këtë çështje, pyetja e parë që më erdhi ndër mendje ishte kjo: Ta zëmë se çdo gjë funksionon në mënyrë përkryer dhe në kushte ideale, a ka mundësi ekonomia shqiptare ti punësojë të gjithë të rinjtë e diplomuar? Përgjigjja është “Jo!”. Sasia e parave që qarkullon në Shqipëri (s’ka rëndësi formale ose jo formale) është tejet e kufizuar dhe nuk garanton ekonomi të mjaftueshme për të gjithë popullsinë e vendit. Pavarësisht se nga mediat ose thashethemet e njerëzve

dëgjojmë çdo ditë për qarkullimin e miliona eurove, e për pasuri marramendëse të individëve të caktuar, në të vërtetë pasuria valutore e shqiptarëve (përfshi dhe ajo që vjen prej dr, ogës) është shumë e vogël. D.m.th. shqiptarët si fuqi konsumatore janë të varfër dhe kjo varfëri shprehet, para së gjithash, tek madhësia e tregut,

larmia e mallrave dhe shërbimeve që ofrohen, dhe fuqia blerëse. Edhe sikur paratë e të gjithë shqiptarëve të menaxhoheshin në mënyrë perfekte nga një autoritet hipotetik qendror, brenda të cilit nuk do të ekzistonte as keq menaxhimi e as korrupsioni, ato prapë së prapë do të ishin të pamjaftueshme për të mbajtur në këmbë një ekonomi të shëndetshme, të qëndrueshme dhe afatgjatë.