




Ky nuk është studim i mirëfilltë linguistik shkencor dhe nuk duhet marrë si i tillë. Ky punim shërben vetëm si pikënisje për kërkime të mëtejshme.
Harta interaktive e toponimeve në Shqipëri dhe në vendet përreth (në punim e sipër).





Emërtimet në gjuhë të huaj
Nga hartat e mësipërme dhe shpjegimet e mëposhtme të toponimeve, mund të vihet re prania e një numri shumë të madh të toponimeve sllave e latine në territorin e Republikës së Shqipërisë. Deri më sot nuk kam arritur të kuptoj saktë domethënien e këtij fenomeni. Por mendoj se kjo mbështet e para: idenë se në pjesën më të madhe të saj Iliria ka qenë e latinizuar, d.m.th që një pjesa më e madhe e popullsisë ilire kishte adoptuar latinishten si gjuhë kryesore (siç ndodhi në Rumani me dakët), gjë që





shpjegon edhe praninë e madhe të huazimeve latine në shqip; dhe e dyta: idenë e parashtruar në shkrimin me titull “Pse nuk e krijuan shqiptarët shtetin e tyre mesjetar?”, në të cilin kam argumentuar se pas murtajës së Justinianit dhe dyndjeve sllavo-avare të shekullit të 6-të e të 7-të, Ilirët e latinizuar u zhdukën pothuajse krejt (përveç ndoshta pasardhësve të tyre, arumunëve), ndërsa iliro-arbërorët, ata që e kishin ruajtur gjuhën e tyre origjinale dhe që kishin arritur t’i mbijetonin valës sllave, u izoluan kryesisht në zonat malore, ku e kishin më të lehtë t’i bënin ballë asimilimit.





Kështu, sipas kësaj logjike, nuk është çudi që shqiptarët, arumunët (latinisht folësit), dhe sllavët të kenë jetuar të përzierë në territoret shqiptare për një periudhë nga dy deri në katër shekullore, por gradualisht, me rritjen e popullsisë shqiptare dhe me ekspansionin e tyre (relativisht agresiv) në të gjitha drejtimet në mesjetë, si dhe si rezultat i konflikteve të shumta mes perandorisë bullgare dhe asaj bizantine, popullsitë sllave janë larguar nga vendbanimet e tyre në Shqipëri duke ua “kthyer” kështu vendin edhe një herë fiseve shqiptare.





Dhe në fakt, ky fenomen nuk është diçka e paimagjinueshme. Për arsye të ndryshme historike, politike, fetare e kulturore (të cilat nuk do t’i paragjykojmë këtu), ky fenomen është përsëritur edhe në Kosovë (e treva të tjera) ku sllavët dhe shqiptarët kanë qenë pjesë e një procesi zgjerimi e tkurrjeje
demografike të vazhdueshme, në favor të njërës apo tjetrës palë, dhe nga e cili duke se shqiptarët, për shkak të rezistencës së tyre pragmatiste, dolën më në fund të “fituar”.





Më poshtë kam paraqitur listën e toponimeve jo shqipe të vendbanimeve në Shqipëri dhe shpjegimin e tyre në gjuhët përkatëse:
lat – latinisht,–lat v – latinishte vulgare–gr v – greqishte e vjetër,–gr biz – greqishte bizantine,
sllav v – sllavishte e vjetër (bullgarisht)*—osm – osmanishte
*Shpeh herë, kur them “sllavishte e vjetër” nënkuptoj bullgarishten e vjetër ose fjalë të valës së parë të sllavëve në shekullin e VI-të, që erdhi para valës së dytë serbo-kroate në shekullin e VII-të. Në Shqipëri, vërejmë se shumica dërrmuese, në mos të gjitha toponimet sllave, i përkasin valës së parë sllave, d.m.th. janë në bullgarishten e vjetër, dhe jo në serbisht.





Ndërsa në Kosovë vërehen disa fenomene të tjerë shumë të rëndësishme për studimin e historisë së shqiptarëve. Në shumë raste kur emërtimi i vendbanimit është në gjuhën sllave, shqiptarët dhe serbët përdorin variante të ndryshme të së njëjtës fjalë. Kështu shqiptarët përdorin variantin më të lashtë të bullgarishtes së vjetër, ndërsa serbët përdorin variantin e ri të fjalës në serbisht. P.sh. emërtimi Suharekë (suha reka – lum i thatë) që përdorin shqiptarët (në bullgarishten e vjetër) është më i lashtë se varianti Suva Reka që përdorin serbët në serbisht. Po ashtu edhe për emërtimin Suhodoll (suho dol – fushë e thatë) që përdorin shqiptarët është varianti i bullgarishtes së vjetër, ndërsa serbët përdorin variantin e ri serbisht Suvi Do. Emërtim tjetër është edhe Dobërdoll (fushë e mirë) vs Dobri Do, Strellc (стрелац-shigjetar) vs Streoc, etj.





Një tjetër mënyrë se si dallohen emërtimet e përdorura nga shqiptarët përkundrejt atyre të përdorura nga serbët është prapashtesa -vac dhe -vec/-evc/-ovc/-ec/-oc. Ndërkohë që serbët përdorin pëgjithësisht prapashtesën serbe -vac, shqiptarët përdorin prapashtesën bullgare -vec, ose -evc/-ovc ose variantet e shqiptarizuara të saj -ec/-oc. Kështu, varianti serb Orahovac, në shqip bëhet Rahovec, Brestovac – Brestovc, Drenovac vs Drenoc, etj.





Ka raste kur serbët gjithashtu përdorin prapashtesën bullgare dhe kjo ndodh kryesisht në Kosovën lindore, ndërsa shqiptarët përdorin prapashtesën serbe dhe kjo ndodh kryesisht në Kosovën perëndimore.
Gjithashtu, mendoj se prapashtesa -ovo, nuk është prapashtesë serbe por bullgare. Po të vërejmë hartën e Ballkanit me kujdes do të vëmë re se vendbanimet me prapashtesën -ovo gjenden kryekëput në territoret e banuara nga sllavo-maqedonasit dhe bullgarët, ose në territore të cilat kanë qenë nën sundimin e perandorisë bullgare në Shqipëri, Kosovë e Serbi. Është interesante fakti se më shumë vendbanime me prapashtesën -ovo (-ovë në shqip) ka në Shqipëri e Kosovë se sa në Serbi, Mal të Zi, Kroaci e Bosnje bashkë ku dominon prapashtesa -evo. Pra, sipas këtij arsyetimi, emërtimi Kosovë (Kosovo) në fakt nuk është serb por bullgar.





Nga çka u tha më sipër, mund të dalim në konkluzionin se atje ku shqiptarët në Kosovë përdorin variantin bullgar të fjalës, ata duhet të jenë banorë më të hershëm se sa serbët që përdorin variantin e ri serbisht të fjalës, të cilët kanë ardhur atje më vonë, me zgjerimin e mbretërisë serbe. Kjo vjetërsi llogaritet me të paktën 300 vjet.
Më poshtë është lista e emërtimeve në Shqipëri dhe kuptimet e tyre të mundshme.
(lista rifreskohet vazhdimisht me emërtime të reja).





Resigno (hapje) – Clausura (mbyllje) e luginës së Matit—Grykë Orosh – oris (gojë, hapje, zgjerim)
Gjeografia e krahinës së Kurveleshit. Dallohet gryka e harkuar (lezion) në të djathtë.–Mesaplik – mes rrudhave
Kallarat – rrëshqitje dheu. Kallarati i vjetër ndodhet pikërisht atje ku ka rrëshqitur dheu.
Tragjas i vjetër – rrëzomë: terren që ulet gradualisht. Tragjas mund ta ketë origjinën edhe prej greqishtes “tragos” që do të thotë “dhi”.
Llugaj ndodhet në një terren që ka formën e lugut/kanalit. Por mund të jetë edhe prej sllavishtes llug (pyll) dhe emërtimi është thjeshtë një mbiemër familjeje.