




Le të bëjë retorikë si ajo e llojit të Kongresit të PS-së sa të dojë Edi Rama. Këta që po shkojnë në burg, ata oligarkë që e kanë përdhosur dhe bëjnë me të çfarë u do qejfi, ato miliarda të zhdukura nga arka e shtetit, Edi Rama nuk i fsheh dot me formulën që ka zgjedhur të mbrohet, “ku e di unë”.





Pa u tharë ende boja e vendimit për arrestimin e Alqi Bllakos, pas një kongresi alla PPSH, ku kryetari i PS, Edi Rama tregoi për plot një orë histori me prokurorë, SPAK, me përgjegjësi personale të atyre që shkojnë në burg për korrupsion, me kërcënime të fshehura nën lojëra fjalësh, nga përtej Atlantikut erdhi lajmi se ish-deputeti i PS, i përzënë nga politika si pasojë e procesit të dekriminalizimit, Aqif Rakipi ishte shpallur ‘non grata’ nga Departamenti i Thesarit i SHBA-ve.





Duhet ta sqarojmë që ky lloj ‘non grata’ është pak më i ndërlikuar se ai që të ndalon vetëm të shkelësh tokën amerikane. Ky të sekuestron çdo lloj pasurie që ke ne SHBA dhe të ndalon çdo lloj transaksioni financiar me SHBA, ndërkohë që komunikata zyrtare ishte e qartë si drita e diellit: Rakipi është përfshirë në ndikim të dëmshëm në politikë, i implikuar me grupe të krimit të organizuar që kanë blerë vota duke ofruar para, dhurata duke premtuar vende pune në këmbim të votave.





Për ata që nuk e kujtojnë mund t’u themi që Aqif Rakipi është ai i një lloji të paparë të fushatës zgjedhore në Elbasan, dorë e fortë e krimit të organizuar të asaj krahine. Paratë që hodhi në fushatën e para 5 vjetëve rrëfehen ende si legjenda urbane. Dhe kur e përzunë nga politika, ndodhi ajo që ndodh rëndom në Shqipëri. Iku Aqifi ama futi në politikë të birin, Ornaldo.





Ornaldo Rakipi sot është deputet i PS-së në Kuvendin e Shqipërisë.
Po tani, a thua ka diçka për të thënë Edi Rama?
Nga Berlini ai e anashkaloi pyetjen për Ornaldon që e ka të grupit të vet parlamentar, por kur të gjendet sërish përballë publikut çfarë do të thotë kryeministri?
Përgjegjësi personale?





Kjo nuk pi më ujë dhe nëse Edi Rama vazhdon me këtë teorinë “ku e di unë ça bëjnë ata që punojnë për mua”, pushteti i tij do të bëhet shumë shpejt pluhur e hi.
Nëse ende nuk e ka vënë re, në shtëpinë socialiste zjarri ka rënë dhe flakët po lëpijnë trarët e çatisë.
Brenda një kohë të shkurtër kanë ndodhur shumë gjëra, janë prangosur shumë duar për të qenë vetëm “përgjegjësi personale”.





Aqif Rakipi nuk erdhi nga hiçi. Ai ishte i njohur në Elbasan për bëmat e tij. A thua ku i pati sytë Rama kur i futi krahun dhe e bëri dhëndër politik të PS-së? A është kjo përgjegjësi personale e Edi Ramës dhe pse Kryeministri nuk jep llogari për këtë.
Iku Qifja se nuk i mbuloi dot zullumet, po të birin ç’ne që e mori sërish Edi Rama dhe e bëri dhëndër politik të PS-së. I biri i të njëjtit baba që u përzu nga politika ishte, pse kjo qokë e madhe politike? Kur do të përgjigjet Kryetari i partisë, ai që vendos për çdo gjë?





Një javë më parë, Alqi Bllako, la mandatin dhe shkoi me vullnet pas hekurave pas skandalit të inceneratorëve. Alqi vërtet ka qenë Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Mjedisit në kohën kur ishte Lefter Koka ministër (edhe ky në burg), ama Kryeministër ishte Edi Rama.
A nuk quhet përgjegjësi personale e Kryeministrit për firmat që hedh? Kur do të përgjigjet për to?





Përveç kësaj Alqi Bllako nuk e la te Lefteri karrierën sepse Partia Socialiste, aty ku Edi Rama vendos edhe nëse një mizë duhet të fluturojë ose jo, e mori në gji, i dha mandatin e deputetit. Alqi Bllako ka pasur një promovim ekstra gjatë fushatës së fundit. Erion Veliaj është kujdesur posaçërisht për ngritjen e figurës së tij deri kur ai arriti të futej në Parlament.A ka përgjegjësi personale kryetari i PS-së njëherësh edhe Kryeministër për të gjitha këto? Kur do të përgjigjet?





Për më tepër që historia nuk mbyllet me kaq.
Sikur të ishte kaq e shkurtër lista e mëkateve të Edi Ramës, të gjithë do mbyllnim sytë e do bënim sikur asgjë nuk ka ndodhur. Por aq shumë sa kanë ndodhur në këtë pushtet, aq hapur sa vjedh Edi Rama me të tijtë, aq hapur sa kërcënon ai, as shumë sa e ka manipuluar ai demokracinë dhe institucionet e pavarura, është e pamundur të mos i kërkosh llogari.





Le të bëjë retorikë si ajo e llojit të Kongresit të PS-së sa të dojë Edi Rama. Këta që po shkojnë në burg, ata oligarkë që e kanë përdhosur dhe bëjnë me të çfarë u do qejfi, ato miliarda të zhdukura nga arka e shtetit, Edi Rama nuk i fsheh dot me formulën që ka zgjedhur të mbrohet, “ku e di unë”.
Mund të shpëtojë një ditë e dy, por shumë shpejt do të fillojë të këndohet edhe kënga e tij.
Vini re, listën e personave të shpallur ‘non grata’ nga Departamenti i Thesarit të SHBA-ve. Ishte edhe ish-kryeministri i Maqedonisë. Bëmat e tij kanë qenë shumë më pak të famshme se këto të kryeministrit tonë…