Lajmet E fundit

Selishçevi, një nga autorët më antishqiptar të historiografisë ruse…

Mbi librat e A.M. Selishçevit (Afanasii Matveevich Selishchev) “Popullsia sllave në Shqipëri” dhe “Popullsia bullgare e Pollogut”. Nisur nga pozita krejtësisht antishkencore, për të vërtetuar ato që pretendon përpiqet të shpjegojë gjithçka me “dhunën”, “grabitjet”, “karakterin e egër”, “natyrën kriminale” etj. të shqiptarëve…
Nga: Shaqir Vukaj

Ballkani, për vetë pozicionin gjeografik, që në kohët e vjetra ka tërhequr lakmitë e Fuqive të Mëdha, dukë u bërë objekt mosmarrëveshjesh e deri përplasjesh ushtarake. Por, edhe vetë vendet e popujt ballkanikë, me problemet e ngatërresat pa fund (që fatkeqësisht vazhdojnë edhe sot) në shumë raste i kanë krijuar vetë, u kanë dhënë shkas e pretekst Fuqive të Mëdha të ndërhyjnë, herë në favor të njërit e herë të tjetrit, e në shumicën e rasteve për interesat e veta.

Në kuadrin e ngatërresave ballkanike, problemi maqedonas, i konsideruar si “molla e sherrit” e Ballkanit, ka qenë ndër më të mprehtët, madje i pa zgjidhur përfundimisht deri më sot… Si problem ai ka lindur herët, por është ashpërsuar gjatë Krizës Lindore në fund të shekullit XIX. Në projektet për të ardhmen e Ballkanit, në “projektin grek”, formuluar nga Ekaterina e Dytë e Rusisë, në “projektin serb” shprehur qartë në Naçertanie apo në “projektin bullgar’ të Shën Stefanit, secili prej tyre përpiqej

të përfshinte brenda kufijve të vet sa më shumë territore të kësaj hapësire gjeografike pa kufij të caktuar, të quajtur Maqedoni. Në planet e tyre, secili i vendoste kufijtë e Maqedonisë sipas interesave dhe dëshirës së vet, gjë që sillte ngatërresa e mosmarrëveshje midis tyre. Pikërisht këto mosmarrëveshje e grindje që disa herë kanë çuar në përplasje ushtarake midis tyre, janë bërë shkas për krijimin e termit “Problemi maqedonas”, përndryshe “molla e sherrit” e Ballkanit…

Historikisht, që nga shekulli X, Ballkani ka qenë një ndër drejtimet kryesore të politikës së Rusisë. Gjatë shekujve të fundit, asnjë ngjarje e rëndësishme në Ballkan nuk është zhvilluar pa pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë apo të tërthortë të Rusisë. “Historia e Ballkanit është vazhdim organik i historisë së Rusisë, pjesë e ndërgjegjes së saj kombëtare” është tezë e përsëritur shpesh në Rusi nga politikanë, ushtarakë, historianë etj.

E angazhuar “për zgjidhjen” e Krizës Lindore dhe të problemeve ballkanike, përfshi “problemin maqedonas”, mbas lu, ftës Ruso-Turke, në v.1878 ajo i imponoi Turqisë nënshkrimin e Traktatit të Shën Stefanit, sipas të cilit krijohej Bullgaria e Madhe që shtrihej nga Danubi deri në detin Egje, dhe nga deti i Zi deri në Liqenin e Ohrit ose më saktë nga brigjet e detit të Zi dhe të rrjedhjes së poshtme të Danubit, në drejtim të Perëndimit dhe Jug-Perëndimit, pikërisht deri në lumin Drin dhe në qytetin

e Selanikut. Në këtë mënyrë, Bullgaria do të shtrihej në një territor prej 183 mijë kilometra katrorë, ku përfshiheshin krejt hapësira e quajtur Maqedoni, një pjesë e mirë e tokave shqiptare të Kosovës dhe Maqedonisë, përndryshe të Shqipërisë Lindore etj. dhe konkretisht brenda saj do të përfshiheshin Korça, Bilishti, Pogradeci, Dibra, Kërçova, Gostivari, Tetova, Kaçaniku etj.