




Si tha e mbesa e Balluk Beqirit? Nuk i fikët dritat e oborrit ju? Na pra se pak e keni! Kulakët e dreqit…
Mbesa e Beqir Ballukut, Belinda, dje paralajmëroi ndarjen klasore të radhës: kush harxhon më shumë energji, llogaritet që është i pasur, pra do ta paguajë shtrenjtë.





Kush na qenka aq i majmur sa të ketë në shtëpi pajisje elektrike të të gjitha llojeve, ka boll para sa t’ia kripësh kokën. “Se ne u thamë njerëzve, tha ajo, ndërsa raportonte vendimet e djeshme të Qeverisë, mos i ndizni dritat e oborrit, por ata nuk na dëgjuan. Kështu që u detyruam ta bëjmë ndryshe”.





Pra, për t’ua sqaruar tamam, Qeveria po programon që kush harxhon mbi 700 KW energji elektrike do të faturohet rëndshëm. Skenari i ndasisë klasore, “ti shtypim kokën të pasurve, atyre që kanë vënë dhjam”, po përsëritet. Ata me konsum mbi 700 KW energji elektrike do të quhen të pasur, pra do të faturohen më shumë dhe Kryeministri mund ta vazhdojë i qetë propagandën e tij: nuk po ua rris çmimin e energjisë se jam burrë i mirë dhe i dhembshur.
Por sa e mundshme është kjo?





A mundet një familje shqiptare që me 700 KW energji të mbulojë nevojat e një jetese normale? Pra ujë të ngrohtë për tu larë dhe mundësi për tu ngrohur kur të jetë ftohtë ose të freskohet kur temperatura të shkojë 40 gradë Celsius. A ia del dot një familje shqiptare që të përballojë çmimin e gazit, që ndërkohë i ka kaluar rekordet e rritjes, për të gatuar (që të kursejë pra), të përballojë çmimin e bukës, vajit, orizit e sheqerit që kanë kapur rekordet, që me 700 KW energji në muaj të mbulojnë nevojat për një jetesë normale?





Nuk e dimë ku i gjen këta ekspertë Qeveria e Edi Ramës, por ekspertët e vërtetë të këtij sektori, kanë sqaruar se këtu nuk bëhet fjalë për llambat e oborrit e as për abazhurin e dhomës së ndenjes që ndezim kur bie nata. Me 700 KW energji në muaj, shqiptarët do ti kthehen kohës së qoftëlargut kur laheshin një herë në javë ose më rradhë. As që bëhet fjalë të shtypni butonin e kondicionerit sepse do të paguani si shtresë e pasur, edhe pse nuk jeni të tillë. As nuk bëhet fjalë ta mbanin bojlerin e ujit në prizë 24 orë dhe të shpresoni se nuk do ta kaloni limitin e 700 KW energji në muaj. Hapni sytë e kontrolloni lavatriçen, me sa + e ka kategorinë e konsumit sepse mund të mbeteni edhe pa larë rrobat. Bëni një kontroll frigoriferit, hekurit të rrobave dhe televizorit, sa konsumojnë që të jeni në rregull.





Përndryshe kjo qeveri ju fut në shtresën e kulakëve dhe ua shtyp kokën me fatura.
Fundja, nuk është edhe aq për tu çuditur. A e mbani mend deklaratën e një qeveritari, “pse zviceranë jemi ne që të bëjmë dush çdo ditë”! E pra këta të Ramës çoç dinë, nuk flasin kot. Duan me domosdo të na lënë në kohën e Enverit.





Na dashkan shqiptarët të bëjnë “pallë ariu” me energjinë!
Si tha e mbesa e Ballukut? Nuk i fikët dritat e oborrit ju? Na pra se pak e keni! Kulakët e dreqit…