




Historia e çuditshme e vilës në kodrën sipër Durrësit, e cila u ndërtua në vitet ’30 me fonde publike të marra hua nga Italia dhe që në 1939 u konfiskua në emër të shtetit. Si ia dha kryeministri Berisha familjes Zogu një pronë, e cila në fakt është publike





Sipër qytetit të Durrësit, në majë të kodrës mbi Kala, qëndron prej gati 80 vjetësh një godinë e madhe që durrsakët i thonë Vila e Zogut. Shqiptarët, që përgjithësisht mbështeten më shumë tek rrëfenjat e gjyshërve sesa tek dokumentat, e kanë trajtuar atë gjithmonë si pronë të ish mbretit Zog, ndaj edhe kur Komisioni i Kthimit të





Pronave, me urdhër të Kryeministrit Berisha, ja ktheu atë Leka Zogut, atyre ju duk sikur thjesht dikush që po merrte pronën e vet. Por nga analiza e dokumentave, rezulton se kjo godinë është ndërtuar nga shteti shqiptar me fonde publike, si rezidencë qeveritare.
Historia fillon në vitin e largët 1925, kur Zogu i posashpallur President i Republikës, i gjendur ngushtë për pará, iu drejtua Italisë. Në datë 26.05.1925, midis





Qeverisë Shqiptare dhe Qeverisë Italiane, u lidh Konvencioni “Mbi Huanë për Punët Botore të Shqipërisë”, në shumën prej 50 milion Franga Ari, me kushte favorizuese dhe me interes të ulët. Fondet e kësaj huaje do të menaxhoheshin nëpërmjet një komisioni të përbashkët, me përfaqësues të Qeverisë Shqiptare dhe të një Agjensie mbikqyrëse e quajtur “Societa per lo Svilupo Economico del Albania (SVEA)”, me qëllim që ato të mos keqpërdoreshin. Pas kësaj, nëpërmjet diskutimeve dypalëshe dhe





disa vendimeve të Qeverisë, u përcaktua lista e objekteve publike që do të financoheshin me këto fonde. Në këto objekte përfshihej ndërtimi i disa akseve rrugore kryesore, ndërtimi i disa urave, porteve, veprave bonifikuese, etj. Gati të gjitha veprat publike të atyre viteve u ndërtuan me fondet e kësaj huaje që, nga ana tjetër nuk ju kthye kurrë atalianëve.





Më pas, në qershor të vitit 1927, u vendos në parim që në këtë kredi të përfshiheshin edhe ndërtimi i një numri godinash qeveritare, ushtarake etj. Kështu, me VKM nr.179 dt.16.06.1927, u vendos ndër të tjera edhe financimi i “Rezidencës Presidenciale në Durrës”. Duhet të kemi parasysh se në kushtet e atëhershme, shteti dhe administrata gjendej në ngushticë shumë të madhe për godina qeveritare dhe shumë ministri ishin sistemuar nëpër objekte private ku qëndronin duke paguar qera.





Një muaj më pas, në korrik 1927, me një vendim qeverie u vendos “financimi i Vilës Presidenciale në Durrës, nga fondet e ndërtesave të parapame me Huanë (50 milionëshe) me shumën 335.000 Fr.Ar”. Nga dokumentet rezulton se menjëherë pas këtij vendimi, më 31.07.1927, kjo shumë u është likujduar ndërmarrjeve që ndërkohë i kishin kryer punimet e ndërtimit në Vilë. Në një farë mënyre, punimet ishin kryer ende pa u çelur fondet, siç do të thonim me terminologjinë e sotme.





Më pas, parlamenti shqiptar miratoi edhe një ligj të veçantë për të ligjëruar këtë rrugë financimi, mbi bazën e të cilit në vitin 1928, midis Ministrisë së Punëve Botore dhe Ing. Silvestro Raia lidhet kontrata: ”Për ndërtimin dhe Kompletimin e Vilës Presidenciale në Durrës, punim për tu kryer me Huanë 50 milionëshe”. Kjo kontratë e firmosur nga Ministri i Punëve Botore në cilësinë e investitorit dhe nga përfaqësuesi i firmës në cilësinë e sipërmarrësit, parashikonte një investim aforfe prej 485.000 Fr.Ar, të cilat do të saktësoheshin sipas preventivave.