Lajmet E fundit

Ne ekzistojmë -Pasardhësi i Skënderbeut, pas gjysmë shekulli në Shqipëri…

Giorgio Maria Castriota Scanderbeg ka shkelur për herë të parë pas 55 vjetësh tokën shqiptare. Është pasardhës i heroit kombëtar nga linja e Napolit. Jeton në Kazerta, afër Napolit së bashku me gruan, Stefania dhe dy djemtë. Ka mbërritur dje në portin e Durrësit, aty ku 500 vjet të shkuara u largua familja e Skënderbeut e ka udhëtuar më pas drejt Krujës.

Giorgio Maria Castriota Scanderbeg ka shkelur për herë të parë pas 55 vjetësh tokën shqiptare. Emri e lidh pashmangshëm me Skënderbeun. Është pasardhës i heroit kombëtar nga linja e Napolit. Zyrtarisht njihet edhe linja e Leçes, ndërsa ka shumë të tjerë që abuzojnë me këtë emër. Jeton në Kazerta, afër Napolit së bashku me gruan, Stefania dhe dy djemtë. Ka mbërritur dje në portin e Durrësit, aty ku 500 vjet të shkuara u largua familja e Skënderbeut. Me ftesë të drejtorit të Institutit

Kombëtar të Diasporës në Ministrinë e Jashtme, z. Roland Bimo, do të njohë nga afër vendin e të parëve. Ka mbërritur rreth orës 10.00 në Tiranë dhe pak më pas ka udhëtuar drejt Krujës. Nuk i përshkruante dot emocionet e kësaj vizite të parë. Sot do të udhëtojë drejt Peshkopisë, ku me mbështetjen e kryetarit të bashkisë, Ilir Korsit dhe kryetarit të qarkut, Naim Gazidede, do të zhvillohen edhe festimet kryesore pranë shtatores së Skënderbeut në këtë qytet, realizuar dy vjet më parë nga

artisti Sadik Spahiu me mbështetjen e Zaim Krosit. Një udhëtim në fshatin e vendlindjes së paraardhësve në Sinë dhe pastaj udhëtimi drejt Dibrës së Madhe, ku do t’i presë kryetari i bashkisë, Argëtim Fida. Aktivitetet do të vazhdojnë me një pritje të ministrit të Jashtëm, z. Haxhinasto e më tej Giorgio (Xhorxho) do të shkojë në Arkivin e Shtetit për të dorëzuar dokumentin e pemës gjenealogjike të familjes marrë nga Arkivat e Këshillit të Konsultës Araldike. Në një intervistë për gazetën “Shqip”, Giorgio Maria Castriota Scanderbeg tregon historinë e tij dhe të familjes.

Kjo është hera e parë që ju vizitoni Shqipërinë. Cilat janë ndjesitë apo mendimet që ju vijnë?
Hera e parë është një ndjesi shumë e veçantë. E pres këtë moment prej më shumë se 55 vjetësh. Emocionet janë të pafundme. Kam jetuar me to gati një muaj më parë, kur Ylli Polovina, me të cilin jam njohur më herët në Itali, më tha se mund të ishte mundësia të udhëtoja drejt Shqipërisë me një ftesë zyrtare. Kjo më nderoi shumë. Shpresoj të jem në lartësinë e duhur të përfaqësoj denjësisht familjen time Kastrioti Skënderbe në vendin nga i cili u nisëm 500 vjet më parë. Shqipëria do të ishte i

vetmi vend ku nuk do të vija këmbë nëse nuk do të kisha pasur ftesë zyrtare, dhe kjo jo për të fituar një lavdi të kotë. Ne na dallon nga të tjerët fakti që kemi pasur fatin të lindim Kastrioti Skënderbe dhe duhet ta prezantojmë denjësisht figurën e tij. Mundësinë për të ardhur zyrtarisht në Shqipëri ne e kemi pasur. Familja është përfaqësuar nga xhaxhi im, i cili së bashku me kushërirën time, Maria Luisa kanë ardhur me Urdhrin e Maltës për të sjellë ndihma në ditët e vështirat të vitit 1997.

Kjo i paraprinte një vizite zyrtare. Unë ecja me pasaportën në xhep në pritje që të dilte çasti i duhur për të ardhur e për të parë tokën tonë. Janë çështjet historike që na kanë detyruar të mos vijmë. Duhet ta pranoj se këtu Skënderbeu është një hero kombëtar, por në Itali është keqtrajtuar figura e tij. Unë mendoja se ishte e drejtë të fillonim të bënim një emigracion nga e kundërta. Kjo do të thotë se është Skënderbeu që rikthehet në shtëpi dhe kthehem së bashku me gruan time Stefania. Të vegjël

mendonim se nuk do të mund ta vizitonim kurrë këtë vend. Na dukej se ishte i ndaluar për njerëz normalë, e jo më pastaj për ne që mbanim këtë mbiemër. Ndiheshim si në ekzil, por tani ndihem si në shtëpinë time. Unë vij nga një familje që nuk ka kërkuar asnjëherë të shpërfaqet. Ne nuk duam gjë tjetër, veçse të themi se ekzistojmë.