Lajmet E fundit

Kush ishte shqiptari që shkroi himnin e Turqisë?

Poeti me origjinë shqiptare, i cili, në Turqi njihet si “Poeti i Atdheut” dhe “Poeti Kombëtar”, Mehmet Akif Ersoy, lindi më 20 dhjetor të vitit 1873 si fëmija i Emine Şerif Hanım, vajza e një familjeje e cila kishte ardhur në Anadoll nga Buhara dhe Mehmet Tahir Efendiut, i lindur në Kosovë dhe njëri nga mësimdhënësit në medresenë e Xhamisë Fatih.

I ati e kishte quajtur “Ragif” që shprehte datëlindjen e tij sipas llogaritjes “ebxhed” (çdo shkronjë është e barabartë me një numër të caktuar), mirëpo për shkak të vështirësisë së artikulimit, shokët dhe e ëma e quanin “Akif”, emër të cilin ai e përvetësoi me kalimin e kohës. Shkollimin e parë Ersoy e filloi në Mektebin e Lagjes Emir Buhari në Fatih, ndërsa dy vite më vonë kaloi në drejtimin e shkollës fillore dhe në vitin 1882 filloi mësimin në Shkollën Qendrore Ruzhdie Fatih (Shkollë e

mesme për juniorë në periudhën osmane). Mësimet e para në arabishte i mori nga babai i tij, kurse në të njëjtën kohë i vijoi mësimet e gjuhës perse në Xhaminë Fatih. Ersoy ishte gjithnjë i pari në gjuhët turke, arabe, perse dhe frënge gjatë arsimit të tij në Ruzhdie. Interesimin për poezi Ersoy filloi ta shprehë gjatë viteve në Ruzhdie dhe iu qas librave të poezisë. Vepra e parë poetike të cilën e lexoi ishte “Lejla dhe Mexhnuni” nga Fuzuli.

Pas mbarimit të Ruzhdies, Mehmet Akif Ersoy në vitin 1885 u regjistrua në Liceun e Shërbimeve Civile (Mülkiye İdadisi), një nga shkollat e njohura të asaj kohe. Ersoy e humbi babain në vitin 1888, ndërsa familja e tij ra në varfëri me djegien e shtëpisë në zjarrin e madh në Fatih një vit më vonë. Meqë para së gjithash dëshironte të

ketë një profesion dhe të mësonte në shkollë me konvikt, ai braktisi liceun dhe filloi në “Mektebin e Bujqësisë dhe Veterinarisë”, që ishte shkollë e lartë civile e veterinarisë e cila sapo ishte hapur ato vite. Gjatë viteve të shkollës, Ersoy tregoi interesim të madh për sportin, duke marrë pjesë në gara të ndryshme sportive si mundja dhe noti, si dhe ecje të gjatë, vrapim dhe hedhje të gjyles.