




Ajo që nuk ka një qasje logjike si perceptim, është qënia e filorusëve apo e filoputinistëve në Kosovë. Një vend i cili është ndarë nga trupi i kombit Shqiptar pikërisht prej Rusisë cariste, e që sot e kësaj dite kundërshtarin më të madh të shtetformimit ka Moskën.





Ka një fenomen mjaft të çuditshëm që po vihet re gjatë konfliktit të Ukrainë, ku një pjesë e opinionit shqiptar po dalin gjithnjë e më shumë hapur pro Vladimir Putinit në qëndrime publike.





E për këtë është folur shumë. Kur flet për putinistët e Tiranës gjen edhe arsye të një rreshtimi të tillë. Janë nostalgjikët e Bashkimit Sovjetik, që tek cari i Kremlinit kanë krijuar alteregon e Josif Stalinit, janë anti-amerikanët e mërzitur nga ndëshkimi për të korruptuarit e Tiranës, por edhe të tjerë që janë fanatikë fetare muslimanë e ortodoksë, që e konsiderojnë qëndrimin antiamerikan si një shpëtim. Jo se janë bio putinistët e Tiranës, por në një farë mënyrë, janë të parashikueshëm.





Ajo që nuk ka një qasje logjike si perceptim, është qenia e filorusëve apo e filoputinistëve në Kosovë. Një vend i cili është ndarë nga trupi i kombit Shqiptar pikërisht prej Rusisë cariste, e që sot e kësaj dite kundërshtarin më të madh të shtetformimit ka Moskën. E cila jo vetëm e përflet Kosovën thuajse ditë për ditë, por edhe e bllokon në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ku ka të drejtën e vetos.





Por çuditërisht ky putinizëm në Kosovë, po vihet re jo vetëm në grupet e parregullta të njerëzve që kanë pakënaqësi ndaj Perëndimit, apo asaj pjese të fanatikëve fetare (kryesisht muslimanë) që e urrejnë Amerikën për shkaqe ideologjike, po vihet re një rreshtim pro Putinit i asaj që quhet “elitë” e Kosovës.





Gazmend Pulaj, një profesor universitar, ish-bashkëpunëtor i ngushtë i Ibrahim Rugovës, ish-ambasador i Kosovës në Tiranë, është një nga përkrahësit më të zjarrtë të Vladimir Putinit në publik.Ambasadori Pulaj, i cili shpërndan rregullisht në faqen e tij postimet e putinistes më të flaktë shqiptare; Mirela Jorgos, mbron edhe në komente të tij fashistin e Kremlinit.
Shumë shqiptarë të Kosovës, të çuditur nga qëndrimi i një pjesëtari të elitës së vendit të tyre, në komente i kërkojnë sqarim përse ky rreshtim i Pulajt. E ky i fundit ja kthen duke i konsideruar të paditur ata që çuditen.





Në një postim të fundit, ambasadori Pulaj jo vetëm nuk e fsheh por e shpreh ethshëm mbështetjen ndaj kreut të Kremlimit. Ja ç’shkruan ai në një postim të fundit: “Vetëm Putini, i cili mbron sovranitetin e mirëfilltë dhe të vërtetë të vendit të tij, dhe nuk i nënshtrohet Amerikës si vasal, nuk u përshtatet skifterëve hegjemon amerikanë për ta dominuar botën”.





Haki Morina, një intelektual aktivist i rezistencës shqiptare për çlirimin e Kosovës që në fillim të viteve 80 të shekullit të shkuar, është i njohur në publik edhe si një analist e vëzhgues i zhvillimeve politike. Një veteran i rezistencës, ku është burgosur nga qeveria e Beogradit për aktivitetin e tij në përkrahje të Republikës së Kosovës, ka një eksperiencë shumë të gjatë politike por edhe publicistike e letrare. Autor i disa librave artistikë e memuaristikë, Morina njihet si një prej themeluesve të FRESSH në vitin 1991, si dhe një nga aktivistët e njohur të lëvizjes çlirimtare. Ai në zgjedhjet e fundit të Kosovës ishte edhe kandidat për deputet i Partisë Demokratike të Hashim Thaçit.





Me shpërthimin e konfliktit të Ukrainës, Morina ishte nga më aktivët në rrjete sociale e media për të folur për “putinistët e Prishtinës”, që sipas tij janë shumë të rrezikshëm në kompromentimin e marrëdhënieve të Kosovës me SHBA, NATO-n e Perëndimin.





në lidhje me aktivitetin e hapur të putinistëve të Kosovës, Morina nuk ka asnjë dyshim për to: “Ata duan ta justifikojnë mbretin Ahmet Zogu dhe presidentin Ibrahim Rugova që nuk e shkrepën asnjë plumb kundër pushtuesit”, thotë ai. Ndërkaq i pyetur më tej se përse e bëjnë aq hapur këtë aktivitet që duket si i pashtrat në Kosovë, publiçisti Haki Morina shton: “Sepse SHBA ia prish planet për të realizuar qëllimet e tyre për pushtet të pamerituar dhe mungesën e vullnetit për të zbatuar parimet demokratike në politikë. Ky fenomen është produkt i një mentaliteti robërues që burimin e ka thellë në historinë e gjatë të jetës pa liri dhe pa shtet”…