




Fakt/ Alfred Moisiu, vërtetë doli nga xhepi i Saliut, por në 5 vite të mandatit të tij nuk doli nga korniza kushtetuese; Rexhep Mejdani veproi si anëtar i bindur partie; Pasaniku Bamir Topi i ra me “top” vetëm për interesat e tij; Bujar Nishani ishte shërbestar ekstremist i “non grata”-s. Sali Berisha i vetzgjedhur dy herë president e futi vendin në luftë më ‘97-ën.





Vetëm në Shqipëri, procesi i zgjedhjes së Presidentit të Republikës, trajtohet dhe realizohet si një procedurë e rëndomtë, madje duke e zhvlerësuar deri në 71 vota, kur shumë funksionarë në nivel të ulët që dekretohen prej tij, zgjidhen me 84 vota.





Ky realitet nuk ka lidhje me mungesën e kompetencave të Presidentit, por me kompetencat e plota e të vetme personale deri në nivel monarku, që ka kryeministri kryetar partie, për të kandiduar një person të besuar të tij, me qëllim që t’i dekretojë çdo ligj.





Me këtë pazar u emërua dhe Ilir Meta nga Edi Rama para 5 vitesh, por pas 2 vitesh filluan kacafytjen, për shkak se u cënuan interesat e tyre mafioze në koncesione, drejtësi, polici, ambasada dhe në ndarjen e pjesëve përfituese, që siguroheshin prej ligjeve klienteliste.
Për shkak të babëzisë që nuk i përmbushi plotësisht Edi Rama, por dhe pas krijimit të klanit të ri “Rilindja” që spostoi klanin e vjetër “Meta-Berisha”, kryehajduti President Republike, nisi presionin duke dalë jashtë kornizës kushtetuese, me qëndrim politik e personal deri rrugaçëror.





Ai u bë pjesë e opozitës banale me propagandë agresive partiake të LSI; zyrtarisht i përfaqësuar nga gruaja kryetare partie, ndërsa personalisht duke u bashkuar me ish-kryetarin faktik të PD, Sali Berisha, sidomos në skenarin për të penguar reformën amerikane në drejtësi.
Faktet kanë treguar, se Ilir Meta e braktisi detyrën si Kryetar Shteti dhe u lidh zyrtarisht me vrasës në kërkim nga SHBA dhe me trafikantë e kontrabandistë, të cilët dikur ish-kryeministër, Kryetar Kuvendi e Kryetar i KLD, i ndihmonte për të mos u prekur nga drejtësia.





Gjatë mandatit si President Republike, Ilir Meta u përfshi dhe në su1me vulgare ndaj diplomatëve të SHBA-BE, sidomos ndaj Ambasadores Yuri Kim, pas frikës se do shpallej “non gata” si Saliu. U përfshi dhe në histori vrasësish me pagesë, si rasti i Tomë Doshit, me të cilin më pas u bë mik e vazhdoi punët e zeza të viteve 1998-2003, kur i dhuroi pasurinë e shtetit “Profarma”.
Përvec këtyre, këto 5 vite kemi patur një president në plotë kuptimin e plotë të fjalës “halabak e rrugaç”, si në fjalor dhe në veprime publike, manifestuar si nxitës e pjesëmarrës në dhunë fizike nëpër zyra partie, thirrje për rrëmbim armësh e sfurqesh, me mitingje politike e degradim rrugëve nga alkooli.





Shenjat tregojnë, se dhe për presidentin e ri, Edi Rama po përdorë të njëjtat metoda e marifete klienteliste si me emërimin e Ilir Metës, por këtë herë është në kërkim “me qiri”, të një presidenti që të mos i dalë nga kontrolli personal.
Rama nuk po kërkon kandidat me profil personaliteti, me dinjitet e integritet që të zbatojë Kushtetutën, por të jetë “vegël” e bindur e tij, që ta shkelë Kushtetutën për ato ligje, akte normative, dekretime funksionarësh shteti, diplomacie e drejtësie që i interesojnë vetëm Edi Ramës.
Për të krijuar imazhin, se gjoja presidenti i ri po zgjidhet me konsultim publik, Rama ka mbledhur nga 2-3 kandidatura prej çdo deputeti të PS, por dhe po përdor mediat e tij, për të servirur në publik emra të shumtë kandidatësh.
Urojmë, që Shqipëria të mos ketë më një president “llum” korrupsioni e krimesh si Ilir Meta, por nuk duhet të kemi as president “lolo” partiak pa integritet e pa personalitet, që të jetë “roje nderi” i kryeministrit dhe maf1es politike si në këto 30 vite.