




Kryeministri Edi Rama ka replikuar sot në Parlament me deputeten demokrate Jorida Tabaku, e cila foli për cilësinë e ujit të pijshëm në qytetin e Tiranës.
Duke u shprehur në mënyrë ironike, ai i kërkoi Tabakut të shkonte në shtëpinë e saj, sepse do vinte të pinte ujë nga çezma, duke shtuar se do bënte dhe video për në Tik-Tok.





“Meqë zonja Tabaku foli për ujin e Tiranës, e ndjej për detyrë sot me t’u kthyer në shtëpi do pi ujë nga çezma. Dhe jam i gatshëm nëse zonja Tabaku të më presë në shtëpi dhe të pi edhe aty një gotë ujë nga çezma”, u shpreh Rama me ironi.





“Do ta bëj videon dhe do ta hedh në tik-tok”, shtoi Rama, duke shtuar dozën e batutës. Kjo ishte e papranueshme për Tabakun, e cila këmbënguli që uji nuk mund të pihet.
Në fakt, kryeqytetasit e dinë se kush po thotë të vërtetën dhe kush jo. Nuk besojmë se ka ndonjë shqiptar që nuk e blen ujin në market, nëse jeton në Tiranë.





Ky problem vështirë se do të zgjidhet ndonjëherë në Shqipëri. E kotë ta zgjasim më tej nëpërmjet lajmeve virtuale. Duhen vepra dhe deri tani… asgjë.