Lajmet E fundit

Yuri Kim shfaqet e buzëqeshur në krah të Bashës dhe Alibeajt, alarmohet Sali Berisha

Ambasadorja amerikane Yuri Kim i ka dhënë një shuplakë tjetër të fortë ish-kryeministri Sali Berisha. Amerikanët e kanë bërë disa herë të qartë se nuk e njohin foltoren dhe se nuk do të ketë asnjë kontakt me Berishën. Për ta kryetar i PD momentalisht është Enkelejd Alibeaj.

Ditën e sotme ka pasur një takim mes ambasadores amerikane Yuri Kim, Lulzim Bashës dhe Enkelejd Alibeajt. Takimi ka ndodhur në ceremoninë e mbajtur në Ditën e Europës. Ambasadorja shfaqet e buzëqeshur në prani të dy demokratëve, ndërsa ka dëshmuar dhe njëherë se cilin krah mban SHBA.

Ndërkohë kjo foto ka alarmuar ish-kryeministrin Sali Berisha. Ai ka qenë i ftuar në televizionin “Syri Tv” dhe është vënë në dijeni për foton. Berisha akuzoi ambasadoren se po ndërhyn në sistemin e drejtësisë. Po ashtu edhe gazetarët pranë tij kanë sulmuar ambasadoren duke treguar irritimin nga ky takim.

“Kur e di që ndërhyri me të gjithë autoritetin e saj, të merret një vendim të shkruhet ligji në gjykatë, të merret një vendim që s’është marrë kurrë, nuk është shpallur kurrë palë ai që s’ka qenë palë. Unë nuk mund të kem një vlerësim të veçantë, në radhë të parë është zonja që duhet të respektojë pavarësinë e sistemit të drejtësisë të këtij vendi, dhe jo sapo reagohet të dilet të thuhet se përfaqëson Presidentin e SHBA.
Kam respekt të palëkundur për Presidentin e SHBA. E kam thënë që kur u zgjodh që është mik i kombit shqiptar dhe nuk besoj që kreu i SHBA, është që përfaqësuesit e tij të ndërhyjnë në një proces gjyqësor në një vend anëtar të NATO-s. Ajo ndërhyrje e bërë, që e pranoi dhe vetë ishte një atak i madh kundër pluralizmit në Shqipëri.

Nëse qeveria amerikane janë të interesuara për fakte konkrete, ua jap pa asnjë diskutim. S’mund ta besoj kurrë që qeveria amerikane, të jenë për të ndiktuar vendimet anti-ligjore gjykatësve në Shqipëri”, tha Berisha.
Frika e Berishës duket se është te vendimi i Gjykatës së Apelit. Nëse gjykata rrëzon vendimin e Agron Zhukrit për statutin e ri, atëherë Berisha nuk garon dot për kryetar të PD dhe të gjitha vendimet që ka marrë këto muaj i bien. Me pak fjalë Komisioni i Rithemelimit shkrihet.