




Ish-kryeministri Sali Berisha dhe presidenti Ilir Meta do të vijojnë ta bëjnë gjumin e qetë. Ditët e fundit e gjithë politika zien nga deklarata e kryeministrit Rama, i cili po vë në presion prokurorin që të mos arrestojë ministra e tij të korruptuar, por të shkojë te Meta e Berisha.





Javët e fundit është folur për një sërë dosjesh që SPAK është duke hetuar. Kemi aferën CEZ-DIA, kemi Gërdecin, “21 Janarin”, por dhe raste të tjera, por në asnjë prej këtyre dosjeve nuk ka hetime për Ilir Metën dhe Sali Berishën si persona fizikë dhe funksionarë të lartë.





Kjo është konfirmuar nga vetë SPAK, që ka reaguar në televizionin “Euronews”. Sipas SPAK, nuk ka asnjë hetim të nisur për vrasjet e “21 janarit”. Lidhur me aferën CEZ-DIA, SPAK po ashtu ka thënë se nuk ka hetime për shtetasin Ilir Meta. Po ashtu edhe sa i takon Gërdecit, SPAK deri më tani po heton vetëm Fatmir Mediun dhe nuk ka hetim për Sali Berishën.
Po bëhen 3 vjet nga ngritja e SPAK dhe nuk po shihet asnjë person i rëndësishëm pas hekurave. Adriatik Llalla është i vetmi i dënuar, por dhe ai u lejua të arratisej, pasi SPAK në asnjë moment nuk kërkoi bllokimin e pasaportës. Kemi një ish-ministër në qeli, si Saimir Tahiri, por puna ishte bërë nga Krimet e Rënda.





Kur nisi reforma thuhej se do arrestohen ministra, ish-ministra, deputetë, ish-kryeministra, kryeministra e presidentë. Deri tani nuk po duket asgjë. Nëse i marrim me radhë bëmat e Metës, Berishës dhe ministrave të Ramës, janë pa fund.Në SPAK kemi një dosje për Kompleksin Partizani. Berisha dhe dhëndri i tij janë të akuzuarit kryesorë. Një tokë shtetërore ju dha disa pronarëve anonimë dhe ai që përfitoi më shumë ishte Jamarbër Malltezi. Procedurat që janë ndjekur janë haptazi shkelje flagrante dhe kompensim është bërë me firmën e Sali Berishës sepse ishte vendim qeverie.





Afera CEZ-DIA është më e rënda dhe SPAK mjafton të hetojë këtë dosje për të dërguar pas hekurave Ilir Metën. Ka një padi në SPAK nga juristi Romeo Kara, por që fle në prokurori prej 4 apo 5 vitesh. Gruaja e Kastriot Ismailajt ka akuzuar drejtpërdrejt Ilir Metën se i kërkonte para administratorit të DIA. Madje ka dhe përgjime të Ilir Metës. Mbetet të shihet nëse SPAK do e zbërthejë këtë dosje pasi Meta të ketë dalë nga Presidenca.
Gërdeci është padyshim një dosje flagrante, pasi kemi të bëjmë me trafiqe armësh. Kemi një kabllogram të ambasadë amerikane që përmend djalin e ish-kryeministrit Berisha dhe po ashtu kemi një gjyq në SHBA kundër tij.
Sa i takon “21 Janarit”, SPAK mjafton të dëgjojë Berishën kur flet. Të shtunën që shkoi ai e tha hapur se vrau 4 njerëz sepse i qëllonin me gurë te xhamat.





Por ndryshe nga Rama që kërkon të mos hetohen ministrat e tij, qytetarët dhe mediat kërkojnë që të hetohen të gjithë. Kemi 3 dosje korruptive për koncesionet në shëndetësi dhe Ilir Beqajt nuk i hyn gjë në këmbë. Madje Rama i dha dhe post duke i besuar fondet e huaja. Te inceneratorët kemi kryebashkiakun e Tiranës të zhytur deri në fyt dhe po ashtu kemi disa ministra, por edhe ata e bëjnë gjumin e qetë. Pra kur SPAK do arrestoje ata për të cilët u ngrit?