Lajmet E fundit

(FOTO)Veliaj i jep “Gjelit” 100 milionë lekë që t’i rregullojë “zyrën” tigrit dhe luanit

Erion Veliaj vazhdon përsëri të japë tendera të majmë për Kopshtin Zoologjik të Tiranës. Si duket nuk i mjaftuan 7.4 miliardë lekë të vjetra për rikonceptimin e kopshtit dhënë ndaj kompanive “ED KONSTRUKSION”, “G.P.G. COMPANY”, “ALBA KONSTRUKSION” dhe “VEKO”. Madje as 1.2 miliard lekë të vjetra si shtesë kontrate pas këtij tenderi. Përveç këtyre shifrave kujtojmë se paraprakisht janë harxhuar edhe rreth 220 milionë lekë të vjetra për realizimin e projektit studimor.

Ndërkaq një tjetër tender u bë pak muaj më parë ku u harxhuan përsëri rreth 85 milionë lekë të vjetra për ushqimin e kafshëve. Por si duket Kopshti Zoologjik i Tiranës rezulton të jetë një makineri perfekte për të “gllabëruar” tendera, pasi vetëm pak ditë më parë Veliaj ka dhënë edhe 100 milionë lekë shtesë nëpërmjet Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit në varësi të Bashkisë Tiranë. Bëhet fjalë për tenderin me numër reference REF-26039-04-21-2022 dhe me objekt “Rikonceptim i Hapësirave të Felineve në Kopshtin Zoologjik”.

Fitues është shpallur bashkimi i operatoreve VIANTE Konstruksion Sh.p.k. me Nr. Nipti K47103804L dhe ED Konstruksion Sh.p.k. me Nr. Nipti K61625001I. Vihet re se VIANTE Konstruksion Sh.p.k. dikur ka patur emër tjetër dhe quhej GJELI 2003. Ndërkaq duke studiuar dokumentacionin e tenderit shikohet se kemi të bëjmë me një garë pa konkurrencë, pasi ka marrë pjesë vetëm bashkimi i kompanive fituese të cilat rrjedhimisht janë shpallur

edhe fituese. Ndërkaq tenderi konsiston në rikonceptimin e vendqëndrimit të kafshëve të egra, përkatësisht tigrave dhe luanëve. Nuk kuptohet ndërkaq se përse ky rehabilitim nuk ishte marrë parasysh në tenderin e parë prej mbi 7 miliard lekësh.