Lajmet E fundit

Alibeaj: PS s’mund t’a zgjedhë e vetme presidentin, as me votat e “non gratave”

Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj ka folur për mediat pas refuzimit të ftesës së mazhorancës lidhur me negociatat për presidentin e ri.
Alibeaj tha sot se janë të hapur të diskutojnë mbi kriterin e presidentit të ri të vendit, duke theksuar se ai duhet të jetë antikomunist. Ai theksoi se PS nuk mund ta zgjedhë presidentin e vetme, pasi duhen 84 vota, pra duhet të jetë një president mbi palët.

Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së tha se nuk u ul në tryezën e negocimeve me Taulant Ballën ditën e sotme, pasi procesi duhet bërë në sy të të gjithë shqiptarëve dhe se ai vetë nuk është për “procese të dhomave të errëta.”

“Në një proces real, të sinqertë ashtu siç edhe figura e presidentit e do, të jetë e shqiptarëve, neutral, tu qëndrojë sfidave që pozicioni i presidentit ka. Për të arritur në këtë pikësynim jemi ofruar për të patur një proces të sinqertë, të bazuar në kritere, në procedurë që është garancia e parë dhe e domosdoshme në një produkt siç shqiptarët e duan. Për këtë arsye, ia kam përcjellë qëndrimin zyrtar grupit parlamentar të mazhorancës dhe grupeve të tjera parlamentare. Ky proces të mos perceptohet si lojë apo farsë. Kushtetuta e ka të qartë që presidenti zgjidhet me 84 vota.

Nuk e ka mazhoranca legjitimitetin për të zgjedhur e vetme sepse së paku 3 deputetë janë deklaruar si “non grata”. Për këtë arsye nuk ka legjitimitet mazhoranca për të bërë lojëra apo për të bërë farsë Edi Rama.Është e kuptueshme që e drejta për të propozuar, së paku i takon opozitës. Ne kemi propozuar kritere sepse kemi detyrim, jo mes palëve politike, nuk duhet të jetë kështu, por një president që të dalë në sy të shqiptarëve. Ju i dini kriteret, njëri është që presidenti duhet të jetë antikomunist. Është vendosur një kriter për mosaktivizimin politik në 5 vitet e fundit, por nuk është i shkruar në gur.

Ne këtë qëndrim tonin ia ofrojmë grupeve të tjera parlamentare sidomos atyre të opozitës. Me konsultimet që kam pasur me Dodën dhe Mediun kanë qëndruar tek kriteret. Ne kemi qëndrimin që opozita duhet të propozojë sipas një mekanizmi të bërë publik. Duhet të jetë një proces që të mos jetë buzëkuq. Nuk do ia bëjmë këtë shqiptarëve. Pres publikisht nga përfaqësuesit e mazhorancës të kenë qëndrimin e tyre. Presim reagimin e tyre dhe do të kemi sërish një reagim tonin. Ne nuk jemi për të pasur proces në dhoma të errëta, të cilat nuk kanë rezultuar të mira për shqiptarët. Gjithçka në sy të publikut. Nuk do të ishte e udhës të vrapojmë pas emrave nëse nuk kemi kritere”, tha Alibeaj.

Më tej Alibeaj theksoi edhe kriteret që duhet të plotësojë Presidenti i ri.
“Duhet të jetë një presidenti mbi të gjitha antikomunist. Çfarë do të thotë një president antikomunist? Kandidati mos të jetë bashkëpunëtor në periudhën, mos ketë qenë në dosjet politike të diktaturës. Dëshmitë për angazhimin për çrrënjosjen e komunizmit përbëjnë avantazh. E udhës është që në bazë të kritereve ne të qëndrojmë fort. Presim reagimin e tyre dhe në bazë të reagimit të tyre do kemi një reagim tonin”, shtoi Alibeaj