Lajmet E fundit

“Presidenti”/ Babloku “fshin menderen” me zarfat e 73 deputetëve “kockaxhinj”

Realitet nga Republika e Shqipërisë, ku Pushtet, Shtet, Pozitë, Opozitë dhe Kushtetutë është vetëm një person. Ndërsa populli, në vend që të reagojë kundër së keqes, ka zgjedhur braktisjen e vendit, sepse e di që kjo klasë politike e ndarë në banda dhe e bashkuar në korrupsion, nuk përmbyset e pastrohet, por zëvendësohet nga të njëjtët “monstra” të 30 viteve

Fakti që mazhoranca nuk paraqiti asnjë kandidat për President, konfirmoi përsëri, se kryetari Edi Rama i përdor turpshëm 73 deputetët që ka, ndërsa ata heshtin, përulen e zvarriten para tij aq neveritshëm, sa nuk mund t’i quash ligjvënës, por “kockaxhinj” që i lëpihen.

Para 1 muaji, në shkelje të hapur të Kushtetutës, me psikologjinë dhe fuqinë reale të sundimtarit, Edi Rama i detyroi deputetët, të propozonin nga 3 emra kandidatësh.
Vetë në krye, i vuri në rresht para një kutie, ku secili, pa asnjë grimcë dinjiteti, hidhnin zarfin sekret me kokën lartë e krekosje para kamereve televizive, në rivalitet kush e kush t’i bënte me shumë përshtypje Bablokut.

Pas mbledhjes së zarfave, Taulant Balla deklaroi se Rama, ai dhe deputetet e PS, kishin propozuar 222 emra potencialë, dinjitozë e me integritet për President, nga të cilët do përzgjidheshin 1, 2 apo 3 kandidatë për raundin e parë të votimit.
Mirëpo ditën e hënë, kryetarja e Komisionit për Çështjet Ligjore, Klotilda Bushka, deklaroi se PS nuk ka paraqitur asnjë kandidaturë për president.
Përballë këtij fakti, logjikisht bëhen disa pyetje:

– Ku u zhdukën 222 kandidatët “potencialë, dinjitozë e me integritet” që propozuan deputetët e PS?
– Përse, as 1, 2 apo 3 prej emrave të propozuar prej tyre, nuk u shpallën kandidatë formalisht; dhe nëse nuk donte Rama, le të mos votoheshin në raundin e parë?
– A kishte vërtetë emra kandidatësh në zarfet e deputetëve apo ishin bosh, për të krijuar imazhin, sikur Babloku nuk vendos vetë, por në kolegjialitet e transparencë me grupin parlamentar të PS?

Nëse zarfet kanë qenë bosh, ky është skandal i rëndë shtetëror, i bërë nga kryeministri, si përdhosje e Kushtetutës me mashtrim publik, duke përdorur mazhorancën parlamentare si “kavje” dhe si degradim i shtetit.

Por, nëse në zarfe ka pasur emra, siç deklaruan disa deputetë, atëherë rezulton se Babloku nuk i ka përfillur e “ka fshirë menderen” me propozimet e deputetëve, të cilët, siç u tha kishin propozuar edhe Gramoz Ruçin.

Ky është realiteti në Republikën e Shqipërisë, ku Pushtet, Shtet, Pozitë, Opozitë dhe Kushtetutë është vetëm një person, i cili ka kontakte vetëm me grupet mafioze dhe oligarkët.

Ndërsa populli, në vend që të reagojë kundër së keqes, ka zgjedhur të braktisë vendin sepse e di që kjo klasë politike e ndarë në banda dhe e bashkuar në korrupsion prej 30 vitesh, nuk përmbyset e pastrohet, por zëvendësohet nga të njëjtat “monstra” të 30 viteve.
Nëse në PS, ndonjerit prej 4- 5 deputetëve “senatorë” e jo puthadorë, u ka mbetur pak dinjitet, duhet të reagojë ndaj përdhosjes që u bëri bërë Edi Rama me zarfet e kandidatëve për president, në të kundër ta mbajnë përjetësisht në krye të PS e t’i mbajnë edhe… oturakun Bablokut.