Lajmet E fundit

Negociatat për presidentin e ri, mazhoranca përballet sot me Enkelejd Alibeajn në prani të kamerave

Ditën e sotme do të vazhdojnë negociatat për zgjedhjen e presidentit të ri mes mazhorancës dhe opozitës në praninë e kamerave ashtu siç kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj kërkoi në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve.

Dakordësia që bisedimet të vijojnë sot në orën 10:00 në Kryesinë e Kuvendit u arrit në takimin e një dite më parë mes Enkelejd Alibeajt dhe grupit negociator socialist Taulant Balla, Damian Gjiknuri dhe Elisa Spiropali.

Dje kryetari i grupit Parlamentar të PS, Balla e sfidoi disa herë homologun e tij demokrat duke përsëritur gatishmërinë për të biseduar menjëherë, madje në të njëjtën sallë. Alibeaj iu përgjigj pozitivisht sfidës dhe tha: “Do që ta diskutojmë? Me kamera? Tani? Dakort, pa lëvizur nga vendi. Tani, tani. Me gazetarët aty. Unë jam gati”.
Pas përgjigjes së Alibeajt, u pa se kreu i grupit socialist nuk ishte i përgatitur për një përgjigje të tillë, dhe propozoi, që takimi të zhvillohej pasdite.

Pas përfundimit të mbledhjes Alibeaj reagoi sërish, ku tha: “Këtë histori që jam i gatshëm, po s’jam i gatshëm, këtë jo. Kishte më mirë se sa aty? Gazetarët ishin aty, publiku besoj po na ndiqte. Jo sot po nesër, këto janë vetëm spërdredhje që bën shumica”.

Të dyja palët u takuan më pas në orën 18.00. Një takim që zgjati fare pak, dhe me kërkesë të Alibeajt, bisedimet u shtynë për sot, në prani të medias.
Mbetet e paqartë nëse atyre do t’u bashkohen dhe përfaqësuesit e dy grupeve të tjera të opozitës. Balla tha se ky është një vendim që i përket vetë opozitës. Ndërsa Alibeaj shpjegoi se “sallë është e hapur për këdo që të vijë dhe të diskutojë në sy të publikut rreth qëndrimit tonë. Jemi të hapur”, pa specifikuar nëse do të kishte nga ana e tij një ftesë për kolegët e opozitës.

Një reagim ka patur edhe Luçiano Boçi, i mandatuar nga Komisioni i Rithemelimit për të negociuar me opozitën për presidentin e ri, ku thotë se bisedimet mes Alibeajt dhe PS janë false.

Raundi i dytë për zgjedhjen e presidentit do të jetë në datë 23 maj ora 18:00. Vendimi u mor në mbledhjen e djeshme të Konferencës së Kryetarëve, ku nuk munguar akuzat dhe kundër akuzat mes palëve. Raundi i parë dështoi pa asnjë emër konkret për presidentin e ri të Republikës së Shqipërisë. Ndonëse nuk kishte asnjë kandidat për t’u votuar, sipas Kushtetutës së Shqipërisë ky quhet si një raund votimi i ezauruar për t’ia lënë vendin katër raundeve të tjera.