Lajmet E fundit

Pas zv/kryeministrit, njeriu i afërt i Vjosa Osmanit e quan Ramën ‘zëdhënës të qeverisë serbe’

Deputeti i Kuvendit të Kosovës Haxhi Avdyli, i cili njihet si një nga njerëzit më të afërt të presidentes Vjosa Osmani e quan Edi Ramën ‘zëdhënës të qeverisë serbe’.

Teksa ka shpërndarë një lajm, ku thuhet se kryeministri Rama kërkoi mirëkuptim për Serbinë që nuk sanksionoi Rusinë, Avdyli shkruan: “Paska fol zëdhënësi i Qeverisë serbe”.

Një reagim i tillë vjen vetëm pak ditë pasi zëvendëskryeministri Besnik Bislimi kishte shpërndarë një postim në të cilin Edi Rama cilësohej si “pro-serb”.

Gjatë një samiti që u mbajt disa ditë më parë në Greqi, u vu re “ftohëtsia” e Vjosa Osmanit dhe Ramës. Osmani kishte larguar karrigen, duke krijuar distancë nga Rama.

Mbështetja e këtij të fundit ndaj “Ballkanit të Hapur” dhe miqësia e ngushtë me “armikun” e Kosovës, Aleksandër Vuçiç ka thelluar përçarjen mes drejtuesve të dy shteteve shqiptare.