Lajmet E fundit

Nga telashet për Metën e Berishën, te emrat e tjerë “non grata” dhe arre.stimet në PS, ja surprizat që pritet të sjellë vjeshta

Vjeshta pritet të jetë sfiduese për pjesën më të madhe të politikanëve tanë. Dyshja Meta-Berisha kanë vendosur që të jenë aktivë gjatë gushtit, duke dhënë sinjale se diçka i shqetëson. Padyshim ish-presidenti është ai që ka hallin më të madh.

PS në shtator do të fusë në procedurat parlamentare ligjin që do mundësojë hapjen e dosjeve të Sigurimit. Meta dyshohet se ka qenë bashkëpunëtor i Sigurimit, por ligji nuk lejon publikimin e të dhënave. Në vjeshtë me ligjin e ri do ketë dy zhvillime të forta në këtë aspekt. Së pari do mundësohet hapja e dosjes për shtetasin I.M dhe së dyti, do ndalohet që bashkëpunëtorët e Sigurimit të jenë në Parlament apo institucione të tjera. Praktikisht, Ilir Meta në vjeshtë del nga politika.

Por PS ka dhënë sinjale se, mund të ndodhë e njëjta gjë edhe me Berishën. Në korridoret e politikës flitet se mund të propozohet një ligj, i cili do të ndalojë “non gratat” të jenë në Parlament. Ishte Taulant Balla që dha sinjale para pak ditësh se po shkohet drejt këtij hapi. Nëse ndodh kjo, atëherë Meta e Berisha dalin nga politika brenda 2022.

Por telashet nuk janë vetëm këto. SPAK në vjeshtë pritet të nisë me goditjet e bujshme. Kemi 4 dosje që janë hapur për Ilir Metën dhe 2 për Sali Berishën. Prokurorët e SPAK morën porosi nga Uashingtoni dhe nuk është çudi që të kemi zhvillime nga godina e SPAK.

Por të rrezikuar në këtë mes janë dhe socialistët. SPAK pritet që të thellojë hetimet për koncesionet në shëndetësi dhe ata të inceneratorëve. Kjo do të thotë se disa persona rrezikojnë prangat, duke filluar nga Ilir Beqaj dhe disa emra që kanë gisht te koncesioni i inceneratorëve.

Por vjeshta do të jetë e nxehtë edhe për shkak se në fushën e lojës do të zbresin amerikanët. SHBA do miratojë një ligj special për Ballkanin, i cili do mundësojë nisjen e një epoke të re kundër korrupsionit. Po ashtu do të kemi dhe një valë të re “non gratash”. Pritet që të shpallen të padëshiruar dhe shumë emra të tjerë, ndërsa më i rrezikuari është Ilir Meta.

Ndërkohë kemi dhe Britaninë që ka hyrë në mes. Dy ditë më parë ambasadori britanik tha se deri në fund të viti do të ketë shumë zyrtarë që do shpallen të padëshiruar, çka do të thotë se kjo vjeshtë do sjellë mjaft zhvillime.

Tjetër zhvillim pritet nga Gjykata e Apelit. Kjo e fundit pritet të marrë një vendim sa i takon statuti të PD. Berisha e ka zaptuar partinë përmes statuti që miratoi vetë. Çështja ka shkuar në Apel dhe ky i fundit do marrë vendimin final. Nëse bie statuti i Berishës, atëherë ai del nga PD. Zgjedhjet për kryetar janë nul, ndërkohë që statuti i vjetër ndalon “non gratat” të marrin poste. Pra Berisha mund të përfundojë jashtë dyerve të PD.

Zhvillimi i fundit që pritet janë protesta. Të ndodhur në vështirësi dyshja Meta-Berisha kanë paralajmëruar trazira dhe tension. Mbetet të shihet sa do ja dalin, pasi që të dy kanë kundër të gjithë ndërkombëtarët. Pra kjo vjeshtë duket se do jetë me e nxehtë se zakonisht për politikën.