Lajmet E fundit

Marin Mema: Gjuha e lashtë e paraardhësve tanë

Ashtu si popujt më të lashtë, ilirët bashkëjetonin me forca të mbinatyrshme, me perëndi, simbole, rite e gjithçka tjetër që i vendoste si një element më vete në degëzimin e mitologjive më të vjetra e të pasura.
Ky univers i pafundmë mitologjik ka qenë sa individual, aq edhe i pashkëputur e i lidhur me atë të civilizimeve të tjera antike.

Arkeologu austriak Karl Paç shkruan për këtë dimension të zhvilluar natyrshëm me formën e jetesës, besimet e organizimin e jetës në Iliri. Ashtu siç lanë pas rafigurime për perëndi të tyret, ilirët përdorën edhe simbolet për të shprehur kuptime të caktuara, magjike e kulti të mbartura edhe nga popullsia më e hershme pellazge.

Fillimisht kultet ishin aikonike , pra pa emra, por të lidhura me forcat e natyrës. Është koha kur ende nuk ka një botë mitike të krijuar qartazi, ç’ka dallohet te pellazgët që, siç thekson historiani grek Herodoti, flijonin për perënditë në Dodonë , gjithçka, por pa i emërtuar veçanërisht.

Ato ishin perëndi, forca të mbinatyrshme, fuqi të pashpjegueshme që kishin në duar fatin e njerëzve. Një mungesë e tillë emrash te parailirët, siç thekson një nga njohësit më të mirë të mitologjisë Moikom Zeqo, është më e hershme se mungesa e një figure të përcaktuar mitologjikisht për ta. Përmes materialeve të shumta arkeologjike dallohet mbartja e simboleve me stilizime të ndryshme, herë të qarta e herë jo.

Ato dokumentohen që nga periudha prehistorike pa u ndalur në të gjitha fazat e mëpasshme që përbëjnë zinxhirin jetësor ilir apo siç e cilësojnë studiues të tjerë historinë e popullit të hyjeve. E pikërisht ky zinxhir është trashëguar edhe në varrezat e Vuksanlekajt, shumë afër Tuzit sot nën Mal të Zi.Për varret apo stelat ka mendime të ndryshme, disa i cilësojnë si 300 apo 400- vjeçare, të tjerë më të vjetrat i datojnë në periudhën e mesjetës. Megjithatë, më shumë sesa vjetërsia e tyre që duhet të përcaktohet nga ekspertët e fushës, vlerë kanë këto simbole, qartazi të mbartura brez pas brezi e sigurisht të ardhura këtu nga lashtësia.

Një prej fotografive të bëra në këtë vend nga Durham nuk është e vështirë ta gjesh në Muzeun Britanik në Londër, nën përshkrimin e një guri varri të rrallë për shkak të figurës antropomorfe që ofron. Udhëtarja dhe shkrimtarja britanike aq e shtrenjtë për shqiptarët i lidhi shpesh këto simbole që i preku edhe në pjesë të tjera të veriut të Shqipërisë, me ilirët e parailirët.
Kultura shqiptare është e lidhur thellësisht me mitet pagane, me syrin e keq, shpirtrat dhe besëtytni të shumta. Si gjithçka tjetër, edhe ritet mortore janë pjesë e kësaj kulture. Mjafton të kujtosh se gjamës së veriut është e vështirë t’i gjesh rrënjët, sa kohë tradita e mbartur, siç thekson edhe studiuesi i famshëm francez i shekullit të 19-të, Albert Dumont, i përket kohëve homerike.

Jo më kot këtë lloj vajtimi e përmend në trevat ilire edhe ai që konsiderohet si babai i historisë Herodoti që në shekullin e pestë para Krishtit, çka konfirmohet nga historiani bizantin Mihail Apostoli, që shkroi se Taulantët vajtonin si Kretasit.Pa harruar gjamën e Lek Dukagjinit pas vd.ekjes së Skënderbeut, përshkruar nga Marin Barleti. Edit Durham mendonte se besimi i shqiptarëve në udhëtim të shpirtit është jehonë e lashtësisë, e miteve dhe e një kulture të jashtëzakonshme.

Pjesa më e pafalshme ka të bëjë me braktisjen që i është bërë këtij vendi nga ekspertët e vërtetë të fushës, nga ata që mund të kuptojnë e prodhojnë më shumë mbi historinë e tyre.
Veç autorëve shkodranë Naim Laçej, Mit’hat Dibra e Ilir Bala, e grupit vendas që mbajnë emrin e fisit ilir të Labeatëve, gjithçka tjetër ka heshtur, ka anashkaluar e injoruar këtë gjuhë, këto mesazhe të paraardhësve tanë.

Deri më sot studimet e mirëfillta kanë munguar, janë fjalë, elemente që kanë ikur e kanë ardhur pa marrë kurrë një trajtë shkencore. Askush nuk është përpjekur të shkojë më tej, të dallojë gjurmët e historisë së këtij vendi, e këtyre simboleve që flasin me gjuhën e lashtësisë, një lashtësie sigurisht autoktone.